Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, ka reaguar pas publikimit të disa fotografive në rrjete sociale, për të cilat thotë se janë krijuar me inteligjencë artificiale.
Kadriaj ka thënë se në këto fotografi pretendohet se ajo është takuar me Skënder Llugiqin, personin që, ka kërcënuar ish-kryeministrin dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Të nderuar qytetarë, se ku ka arrit poshtërsia e këtij pushteti po e dëshmoj tani. Me inteligjencë artificiale e postuar nga Vudi Xhymshiti në rrjete sociale, se gjoja unë kam takuar Skënder Llugiqin, personin që ka kërcënuar Komandantin Ramush Haradinaj. Kjo nuk qëndron dhe është e pavërtetë”, ka shkruar Kadriaj.
Ajo ka bërë të ditur se do ta denoncojë personin që, sipas saj, ka publikuar këto fotografi, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga organet e drejtësisë.
“Personin në fjalë do ta denoncoj dhe le të merren organet e drejtësisë me të”, ka deklaruar Kadriaj.
Në reagimin e saj, deputetja e AAK-së ka akuzuar gjithashtu pushtetin, duke thënë se “kësaj radhe ju ka dalë fytyra e vërtetë”.


