Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga AAK-së, Time Kadriaj, në emisionin “Info Plus” në RTK, deklaroi se në takimin e zhvilluar në Bruksel e më pas në Ohër, kryeministri Kurti ka pranuar realizimin të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
Sipas saj, Kurti ka dhënë zotim për zbatim të tyre edhe para emisarëve amerikanë e evropianë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi.
Por ajo tha se zhvillimet e fundit duket e janë rezultat i marrjes së këtyre zotimeve, duke e bërë Kosovën arenë e sulmeve dhe kritikave nga të gjithë.
Kadriaj u shpreh se e vetmja formë për qetësim të situatës dhe shtensionim të saj, është që palët të ulen dhe të diskutojnë të gjitha çështjet.
“Kur të dakordohen, të fillojnë të zbatohen këto marrëveshje. Kosova e ka pranuar procesin e dialogut”, tha Kadriaj.
Deputetja e AAK-së tha se opozita është për shtrirje të sovranitetit dhe integritetit territorial në veri. Ajo tha se ku bëhet fjalë për çështje madhore e në interes të Kosovës, nuk do të shohin nga prizmi i opozitarizmit.
“Nuk kemi qenë kritik ndaj Qeverisë për këto tema, por këto veprime të fundit të paakorduara me SHBA dhe aleatët tanë, e kanë sjellë situatën në një nivel të tillë sa jemi bërë arenë sulmesh nga të gjithë dhe për herë të parë, Kosova ka marr vërejtje dhe është sanksionuar nga aleati ynë që është SHBA”, tha deputetja Kadriaj.
“Kjo nuk i bën nder as Kosovës, nuk i bën nder as qytetarëve të Kosovës dhe në këtë situatë, edhe pse si opozitë nuk jemi në vendimmarrje, sepse Kurti ka shumicë edhe në Parlament dhe po vepron sipas dëshirave e tekave të tij, po mendoj se kjo nuk është e drejtë”.
Deputetja e AAK-së u shpreh se duhet parë realiteti se a po punohet nga ata kryetarë komunash,nëse po punojnë drejtorët. Duhet parë se si kemi ardhur në këtë situatë”, tha deputetja Kadriaj.
Ajo tha se Serbia ka bërë shkelje flagrante duke kidnapuar tre policë të Kosovës dhe kjo është kryer në territorin e Kosovës, kur ata kanë qenë në detyrë.
“Ata duhet të kthehen pa kushte dhe më vjen mirë që ka reaguar faktori ndërkombëtar, kurse serbët e Kosovës të arrestuar, kanë shkaktuar dhunë”.


