Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka kritikuar ashpër Qeverinë dhe ZRRE-në për vazhdimin e eksploatimit të qytetarit konsumator.
Ai për GazetaBlic, theksoi se paaftësitë e institucioneve si KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO po faturohen qytetarëve, duke i quajtur këto veprime të padrejta, të paligjshme dhe të paprofesionale.
Kaçaniku paralajmëroi se rritja e çmimit të energjisë mund të falimentojë edhe shtresën e mesme të qytetarëve, ndërsa qytetari i varfër tashmë ka falimentuar.
“Edhe kjo legjislaturë e Qeverisë, nëpërmes ZRrE-së, po vazhdon ta eksploatojë qytetarin konsumator – taksapagues e gjenerues kryesor të Buxhetit KONSUMUES të Republikës së Kosovës.
– Paaftësitë e KEK, KOSTT, KEDS KESCO…edhe kjo Qeveri dhe ZRrEE po ia faturojnë qytetarit konsumator, veprim ky që nuk është i drejtë as ligjor, as etik, as profesional…as i ndershëm!
– Ndikimi i rritjes së çmimit mund ta falimentojë edhe shtresën e mesme të qytetarit e familjes konsumatore?! Qytetari konsumator I varfër kaherë ka falimentuar?!”, thotë Kaçaniku.
Ai shtoi se ZRRE nuk i shërben qytetarit konsumator dhe se mekanizmat për mbrojtjen e interesave të tij nuk janë të mjaftueshëm.
Kaçaniku shprehu shqetësimin se çmimet e energjisë nuk janë të justifikueshme, pasi qytetarët janë akcionarë të këtyre aseteve dhe kanë investuar për dekada.
“ZRRE-së i kam shkruar / komentuar disa here. Ia kamë përshkruar hallet e qytetarit konsumator dhe e kam këshilluar. Por, asgjë prej tyre nuk është marrë kurrë parasyshë. ZRrEE nuk i shërben qytetarit konsumator por, pretendon se punëdhënes e ka Qeverinë e jo qytetarin konsumator, ndërsa edhe kjo Qeveri vazhdon të na trajtojë si skllavë të dëgjueshëm”.
“ZRRE ka shumë mekanizma tjerë para ngritjes së çpmimit të cilat ia kamë shpjeguar në kontributet e mia të mëhershme. Por, të debatosh me ZRrEE-në dhe me “njerëzit e zgjedhur të poltikës / të Qeverisë” është njësoj si ta “dërgosh vezën te berberi””, shton ai.
Ai paralajmëroi për mundësinë e protestave dhe bojkotimeve përballë këtyre çmimeve të rritura.
“Çmimet nuk janë aspak të justifikueshme, edhe për arsye se të gjitha asetet e prodhimit, distribuimit, furnizimit… janë të qytetarit konsumator, i cili është akcionar / hisedar i tyre, në të cilat ka investuar me çmim dhe me kontributet fiskale për dekada me radhë. Në valën e pakënaqësive të qytetarit konsumator, të shprehura edhe me bojkote, nuk e shoh mençuri që ndokush guxon të dalë me propozimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Nuk e shoh as ZRRE-në, as Qeverinë që mund të përballen me përgjegjësinë e provokimit të protestës me rritjen e çmimit të energjisë, as të bojkotimit të faturave të rrymës”, tha Kaçaniku për GazetaBlic.


