Lajme

Kaçaniku kritikon Qeverinë: 5 centëshi për qeset plastike imponim dhe zhvatje, pas tregtisë qëndron politika – mos t’i përdorin si show për vota

11/16/2023 14:54
nga:G B

Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, ka thënë se udhëzimi administrativ është imponuar dhe se nuk do të duhej paguar 5 centë për qeset e plastikës.

“Pakënaqësi ka vazhdimisht, shpeshherë po jam edhe dëshmitar okular për shprehje të pakënaqësisë dhe po ndodhem në sendviç kur ndodhin raste në markete por nuk mund t’i ndihmoj askujt, jam vetëm një monitorues dhe aktivist për mbrojtje të konsumatorit. Mirëpo, udhëzimi administrativ na është imponuar dhe çdo gjë që imponohet predisponohet që të ketë dështim. Dështimin duhet ta dinë ata të ministria e mjedisit, nuk ka pasur diskutim, nuk ka pasur debat as pleqnim të këtij problemi së bashku. Na është imponuar një 5 cent që për dikë duket i vogël por nëse mblidhet shpenzimi i gjithë vitit për mua si një pensionist është një pension mujor, janë 100 euro në pyetje”, thotë ai.

Sipas tij, kjo pagesë është zhvatje dhe imponim dhe se është peshë e rëndë për dinjitetin e konsumatorëve.

“E dyta, është një imponim dhe zhvatje dhe për arsye se jemi gjenerues të buxhetit dhe në të ne po shkrijmë mjaft mjete edhe për këtë sektor dhe këtë se ka marrë parasysh askush. Paguaj aty, paguaj aty…paguan qytetari konsumator i cili nuk është i vetmi në ndotjen e mjedisit, ku janë prodhuesit, shitësit me pakicë, ku janë politikanët, të gjithë këta e kanë nga dikë mbrojtës por qytetari konsumator është i panjohur nga Qeveria dhe akoma shfrytëzohet për zhvatje. 5 centëshi është i vogël si mjet monetar por në dinjitetin tonë të qytetarit konsumator peshon shumë rëndë dhe njerëzit që s’kanë ndjenja s’kanë ndjesi për këtë momentumin e dinjitetit nuk janë të denjë as për të bërë politika”.

Ai vlerëson se kjo dëshmon se pas tregtisë e ekonomisë qëndron politika, qeveria.

“Kjo dëshmon se pas tregtisë, ekonomisë qëndrojnë politikanët, qëndron qeveria, duke harruar e neglizhuar e shkelur të vërtetën që e thashë komponenta kryesore socio ekonomike është qytetari konsumator sepse e bën konsumin. Dhe ata që se duan e se njohin këtë realitet, duhet të kthehen në klasën e parë të shkollave fillore”, potencon ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, MINT s’po i lejon inspektorët që ta kryejnë punën e tyre për gjobitjen për qeset e plastikës me logo të marketeve.

“Infrastruktura e cilësisë është në MINT, departamenti, zyra dhe këshilli për mbrojtje të konsumatorit janë në MINT. Pse ministria nuk i lejon këta ta bëjnë punën e tyre, a s’është diçka mbi politikën? A s’është diçka që tingëllon si politizim e popullizëm? Politizimi shkon përmbi vlerat e luftës, përmbi Kushtetutën dhe përmbi ligjet. D.m.th ne partitë politike po na e imponojnë politizimin si ligj, si Kushtetutë, është gabim. Nuk bëhet kështu politika, nuk udhëhiqet kështu shteti. MINT duhet ta lejojë departamentin, zyrën e këshillin që ta bëjë punën e tyre, mos të merren me popullizma, mos të nisin prej tani mbledhjen e votave, do të vijë koha edhe për këtë”, deklaron Selatin Kaçaniku./Gazeta Blic/