Gian Piero Gasperini ka takuar këtë të premte drejtuesit e Atalanta-s, për të diskutuar rinovimin e kontratës së trajnerit.
Sipas raportimeve të medieve italiane palët do të ritakohen nesër për të diskutuar me detaje kërkesat e trajnerit italian.
Gasperini dëshiron që të ndërtojë një ekip mjaft konkurrues për sezonin e ardhshëm, normalisht duke bërë 3-4 afrime të rëndësishme gjatë merkatos së verës, në mënyrë që të jenë konkurrues në Champions League.
Ideja e Gasperinit, pas fitores në Europa League, është që të ketë një skuadër gati për të garuar fort edhe në Champions League dhe do të nevojiten fytyra të reja të nivelit të lartë, duke qenë se për momentin skuadra nuk është në nivelet më të larta sa i përket garës në këtë kompeticion.
Përveç kësaj, trajneri italian raportohet se kërkoi edhe 2 vite më shumë kontratë se ajo aktuale, pra deri më 30 qershor 2027, duke qenë se marrëveshja aktuale do të skadojë në vitin 2025. Nga ana tjetër ideja e klubit ishte që të vazhdohej bashkëpunimi deri në vitin 2026, ndoshta me një opsion për një sezon tjetër plus në varësi të ecurisë.