Sporti

Ka shënuar 17 gola këtë edicion, Haziraj: Ka ardhur koha që ta shohim Fushë Kosovën sërish në Superligë

03/12/2023 11:14
nga:L J

Rilind Haziraj është një nga lojtarët më në formë në edicionin 2022/23 në futbollin kosovar.

Haziraj i cili luan si sulmues tek skuadra e Fushë Kosovës në Ligën e Parë ka arritur të realizojë 17 gola dhe ka bërë dy asistime, duke ndihmuar kështu klubin e tij të shkojë sigurt drejt objektivave, shkruan GazetaBlic Sport.

Sulmuesi potencon se po ndihet mirë me formën e tij dhe të ekipit deri në këtë fazë të kampionatit.

“Natyrisht që ndihem mirë për këtë edicion mjaft të mirë personalisht, por edhe si grup jemi mjaft mirë”, tha fillimisht Haziraj për ‘GazetaBlic Sport’

Ai ka potencuar se skuadra është tejet e përgatitur, teksa tani i duhet vetëm punë që të arrijë Superligën e Kosovës.

“Jemi të përgatitur maksimalisht si në aspektin fizik, si në atë psiqik, gjithçka që na duhet tani e tutje është të vazhdojmë punën siç kemi bërë deri tani”, vazhdoi ai.

Në fund, Haziraj potencoi se Fushë Kosova duhet të inkuadrohet në Superligë dhe të stabilizohet, ku më pas edhe të jetë pretendent për titull në elitën e futbollit vendor.

“Mendoj se koha ka ardhur që ta shohim Fushë Kosovën përsëri në Superligë, por jo vetëm ta shohim në një edicion ose dy, por ta ketë një stabilitet dhe pse jo në 2-3 vitet e ardhshme të jetë një prej pretendeteve për titullin kampion”, përfundoi ai.

Fushë Kosova ndodhet në vendin e parë me 39 pikë, dy më shumë se Ulpiana pas 18 xhirove të luajtura në Ligën e Parë (Grupi B).

/GazetaBlic Sport