Një nga lojtarët që ka luajtur për Zvicrën dhe Kosovën është edhe mbrojtësi, Jetmir Krasniqi.
30 vjeçari kosovar kishte luajtur në gjeneratat e reja të Zvicrës U20 dhe U21, por edhe me kombëtaren A të Kosovës në miqësoren ndaj Shqipërisë në vitin 2018, që ‘Dardanët’ e fitonin me rezultatin 0:3, shkruan GazetaBlic Sport.
Nesër në orën 20:45, Zvicra dhe Kosova ballafaqohen në Basel, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Krasniqi thotë se ky ballafaqim do jetë shmë ineteresant, pasi Kosova nuk është aspak inferiore dhe se ka lojtarë të jashtëzakonshëm.
“Dueli do jetë shumë interesant, ka shumë lojtarë prej Kosovës që janë rritë dhe kanë luajtur në Zvicër, është lojë e rëndësishme, sepse duan të tregojnë veten. Besoj se Kosova ka mundësi të mira, sepse nëse i krahasojmë lojtarët në çdo pozicion, Kosova s’ka çka ndihet inferiore, sepse ka lojtarë që luajnë në ligat më të forta të Europës dhe janë lider”, tha fillimisht Jetmir Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’.
Mbrojtësi që paraqitet për ekipin e Xamax i jep shanse të mira Kosovës, teksa shton se Zvicra i frikësohet paksa ‘Dardanëve’.
“Kosova ka shansa të mëdha, lojtarët kanë eksperiencë në klube të mëdha dhe besoj që Zvicra i frikësohet Kosovës, sepse këtu ka shumë shqiptarë në kampionate, e dinë se çfarë motivimi kemi. Do jetë e zorshme si ndeshje, sepse edhe Zvicra ka kualitet, por loja do jetë e vështirë për dy palët. Unë kam luajtur për dy shtetet, e di se çfarë motivimi do ketë sidomos nga lojtarët e Kosovës, Zvicra besoj se do iu frikësohet pak. Stadiumi do ketë më shumë shqiptarë se zviceranë, unë mendoj”, vazhdoi ai.
Sa i përket kualifikimit në Botërorin 2026, Krasniqi potencon se Kosova ka shanse, por që fillimisht duhet ta nisë mbarë në dy duelet ndaj Zvicrës e Suedisë.
“Kosova ka shanse të mira, sepse ka ekip dhe trajnerë të mirë si Foda që e ka tregu veten edhe në Zvicër, grupi është i zorshëm, nuk do jetë lehtë, por Kosova duhet ta fillojë mbarë dhe çdo lojë të vazhdojë ashtu. Nëse jo vendin e parë, shpresojë ta zënë vendin e dytë”, përfundoi Jetmir Krasniqi.
Kujtojmë se pas duelit të nesërm me Zvicrën, Kosova e mirëpret Suedinë të hënën e ardhshme në ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet.
/GazetaBlic Sport


