Futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Besir Demiri, ka folur për GazetaBlic Sport para ndeshjes së rëndësishme mes Kosovës dhe Sllovakia, duke theksuar peshën historike të këtij takimi për “Dardanët”.
Sipas Demirit, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kosovën që nga pranimi në UEFA dhe FIFA.
“Ndeshja më e vlefshme për Kosovën që nga pranimi nga UEFA dhe FIFA, pasi është vetëm dy hapa larg eventit më të madh në botën e futbollit. Sigurisht, me ekipin që e posedon Kosova, mendoj se ka cilësi për ta kaluar këtë pengesë, edhe pse përballë ka një kundërshtar shumë të mirë. Por nëse Kosova është në ditën e vet, besoj se mund të përballet me cilëndo kombëtare”, deklaroi ai.
Demiri foli edhe për kundërshtarin, duke dhënë një këndvështrim interesant mbi Sllovakinë dhe futbollin atje.
“Sllovakia, me aq sa kam arritur ta njoh, mendoj se është një përzierje e dy kulturave të ndryshme – asaj evropiane dhe sovjetike. Popullata atje mendoj se është e ndarë për sa i përket mendimeve ndaj nesh si shqiptarë, pasi varësisht në cilën pjesë të shtetit jeton, edhe mendimet janë të ndryshme. Nuk diskutohet për përvojën që sllovakët kanë në kampionate botërore dhe evropiane, por edhe momentalisht kampionati në Sllovaki është shumë kualitativ. Shumë futbollistë që përfaqësojnë Sllovakinë janë produkt i ekipit ku kam qenë pjesë, MSK Zilina, dhe tani luajnë në kampionate shumë të mira. Pavarësisht kësaj, Kosova ka shanse shumë të mira që të kalojë në finale për Kampionatin Botëror”, shtoi Demiri për ‘GazetaBlic Sport’.
Në fund, ai theksoi edhe avantazhin e vendasve, por beson se Kosova mund të përballet denjësisht, poashtu dha një parashikim.
“Avantazhi për sllovakët është fakti që janë vendas, ndërsa sa i përket fushës, mendoj se edhe Kosova ka kualitet për t’u përballur dhe për të na përfaqësuar denjësisht në këtë takim. Parashikimi im është se do të kemi një barazim pas 120 minutave, kurse Kosova do të fitojë me penallti”, përfundoi Demiri.
/GazetaBlic Sport/


