Ish-trajneri i Sigal Prishtinës dhe i Kombëtares Shqiptare të Basketbollit, Antonis Constantinides
ka reaguar ndaj deklaratave skandaloze të Christos Marmarinos për basketbollin e Kosovës.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, ai ka thënë se pjesa më e madhe e deklaratave të trajnerit grek janë gënjeshtra dhe se u befasua shumë negativisht.
“Sinqerisht kur e lexova intervistën e tij u surprizova shumë. Sepse pjesa më e madhe e gjërave që ai ka thënë në intervistë janë të pavërteta. Si një person që ka punuar Kosovë, mund të ju them se njerëzit atje e njohin dhe janë të dashuruar me basketbollin. Po kishte disa probleme, si për shembull me palestrat, por kjo nuk do të thotë se gjithçka ishte zi, pra pjesa më e madhe e deklaratave të tij nuk qëndrojnë“, tha fillimisht ai.

Tutje, Antonis Constantinides tha poashtu se Federata e Basketbollit ka punuar dhe ka tentuar të ofrojë shërbimet më të mira për të.
“Unë e di që edhe Fedederata e Basketbollit të Kosovës punon shumë, natyrisht kur ju punoni mund të keni edhe gabime, por që gjithmonë është tentuar që të bëhet më e mira dhe të ofrohen shërbime të mira për Kombëtaren e basketbollit në vitet e fundit. Unë e respektoj shumë Kosovën, Federatën e Basketbollit dhe çdo person me të cilin kam punuar atje, do të mbeten gjithmonë në zemrën time. E përsëris, u befasova shumë negativisht me deklaratat e Marmarinos“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


