Lajme

Ka filluar samiti i NATO-s në Bruksel, Stoltenberg: Do të vazhdojmë trysninë ndaj Putinit

03/24/2022 11:50
nga:Astrit Gashi

Në selinë e Aleancës në Bruksel pak pas orës 10 ka filluar samiti i jashtëzakonshëm i udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha të pranishmëve se ata ishin mbledhur në një “moment kritik sigurie” dhe theksoi se të gjithë ishin të bashkuar në dënimin e “agresionit të paprovokuar të Kremlinit” dhe mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj Rusisë për t’i dhënë fund kësaj lufte brutale. Ne respektojmë guximin e popullit dhe ushtrisë ukrainase në luftën për liri dhe të drejta. Ne njohim gjithashtu guximin e atyre në Rusi që flasin kundër luftës”, tha Stoltenberg.

Ai tha gjithashtu se liderët do të diskutojnë sot mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, duke përfshirë furnizimin e ushtrisë ukrainase me armë dhe sisteme kundërajrore dhe antitanke, si dhe për fuqizimin e forcave mbrojtëse të NATO-s, jo vetëm tani, por edhe gjatë viteve në vijim.

“Ne të gjithë duhet të punojmë më shumë në tokë, në ajër dhe në det, në mënyrë që t’i përgjigjemi realitetit të ri të sigurisë në Evropë”, përfundoi Stoltenberg.

Përpara takimit, i cili konsiderohet si një nga më të rëndësishmit në historinë e Aleancës, liderët e NATO-s bënë një foto grupore.