Sporti

Juventusi merkato te Milani, lojtari pranon ofertën e bardhezinjve

08/12/2024 15:13
nga:E K

Pierre Kalulu, pjesë e Milanit prej shtatorit të vitit 2020, ka përfunduar në shënjestrën e Juventusit. Që e ka të nevojshëm afrimin e një qendërmbrojtësi.

“Zonja e Vjetër” është hedhur në sulm për të mbyllur sa më parë operacionin për 24-vjeçarin francez. Teksa ka kërkuar nga kuqezinjtë huazim me të drejtë blerjeje.

Saktësisht, bardhezinjtë kanë ofruar 3 mln euro për huazimin dhe 14 të tjera për blerjen e tij në fundin e sezonit që vjen. Kalulu vjen pas një dëmtimi të gjatë, e në sezonin e fundit luajti vetëm 9 ndeshje në kampionat.

Gjithçka është në dorën e Milanit. Por huazimi nuk preferohet nga drejtuesit kuqezi, të cilët duan shitjen direkt të lojtarit. Teksa kërkojnë mbi 20 mln euro për kartonin e tij.

Kalulu ishte protagonist me Milanin në sezonin 2021/2022 kur kuqezinjtë fituan titullin kampion. Me francezin që dha kontribut të madh në prapavijë.

Bisedimet mes palëve sapo kanë nisur dhe pritet me interes çdo të ndodhë, teksa tekniku Thiago Motta e kërkon në “Allianz Stadium” mbrojtësin francez.

Ky i fundit e sheh si lëvizjen e duhur kalimin në Torinon bardhezi dhe po pret marrëveshjen finale mes klubeve për të nisur aventurën e dytë italiane.