Juventusi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Jean Clair-Todibon. Ndonëse mes klubit bardhezi dhe Nice u përfol një huazim, tanimë italianët synojnë të blejnë përfundimisht kartonin e mbrojtësit.
“Zonja e Vjetër” është gati të investojë një total prej 35 milionë eurosh për kartonin e 24-vjeçarit. Për të bindur drejtuesit e Nices, Juventusi mund të përfshijë në marrëveshje dhe Dean Huijsen.
Mbrojtësi i ri, që vitin e kaluar e kaloi në huazim te verdhekuqtë e Romës, është stërvitur gjatë gjithë verës me Juven.
Huijsen ka oferta edhe nga Gjermania, megjithatë tanimë i është hapur një dritare mjaft e mirë për t’u transferuar në Ligue 1.
Afrimi i Jean-Clair Todibos, i cili në të kaluarën veshi edhe fanellën e Barcelonës, do të rriste shumë cilësinë mbrojtjen e rekordmenëve të futbollit italian.
I kërkuar edhe nga klube të tjera, përfshirë dhe Manchester United, francezi shihet si një mbrojtës modern që do t’i përshtatej më së miri lojës së trajnerit Thiago Motta.
Përveç aftësive në prapavijë, italo-braziliani kërkon nga mbrojtësit cilësi pasimi dhe organizim të mirë nga prapavija.


