Federata e Sindikatave të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka paralajmëruar për herë të dytë kompanitë publiko-private që të zbatojnë vendimin për pagën minimale, e cila pritet të bëhet 425 euro.
Kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se sindikata do të këmbëngulë në mënyrë të vazhdueshme në zbatimin e këtij vendimi, duke kërkuar nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë me kohë llogaritjet e nevojshme financiare dhe t’i adresojnë kërkesat përkatëse pranë autoriteteve kontraktuese.
FSPTSPK ka ftuar kompanitë që të reagojnë me kohë dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e pagës minimale, në mënyrë që të shmangen pasojat në ofrimin e shërbimeve publike.
“Ju njoftojmë se nëse pagat e Janarit nuk dalin më rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet tjera arsimore”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Pagat minimale të janarit pritet të ekzekutohen nga 425 euro, pas vendimit të Qeverisë Kurti të marrë në prag të fundvitit 2025.


