Sporti

Jules Kounde, mbrojtësi i Barcelonës po vendos rekord botëror

12/20/2024 23:30
nga:Mergim Rreci

Mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde do ta mbyllë këtë vit duke vendosur një rekord botëror, të cilin do ta thellojë më tej këtë fundjavë, në ndeshjen e La Liga-s kundër Atletico Madridit.

Mbrojtësi francez tashmë e ka dominuar vitin 2024, sepse u bë futbollisti me më shumë minuta gjatë këtij viti dhe rekordmen botëror. Sipas observatorit “CIES Sports”, Kounde luajti 69 ndeshje zyrtare këtë vit dhe grumbulloi 5872 minuta në fushë.

Një tregues i qartë se sa impenjativ ka qenë ky vit për francezin. “Mundo Deportivo” shkruan se rasti i tij do t’iu shërbejë kolegëve futbollistë, që po luftojnë kundër politikës së FIFA-s për shtimin e ndeshjeve.

Numri i ndeshjeve në një sezon është duke u shtuar frikshëm dhe futbollistët janë duke përballuar ngarkesa gjithnjë e më të mëdha. Për këtë arsye kanë protestuar edhe më herët, por deri më tani FIFA nuk është kujdesur shumë për këtë.

Fituesi i fundit i “Topit të Artë”, Rodri, kërkoi me ngulm mbrojtjen e futbollistëve nga kalendarët e ngjeshur të ndeshjeve, që po i dëmtojnë në masë, por nga FIFA erdhi përgjigja jo pak ironike: futbollistët duhet të pajtohen me paga më të ulëta, nëse duan një numër më të vogël ndeshjesh.

Lumturi e dyfishtë këtë fundvit për moderatoren Pranvera Borakaj, vjen në jetë djali
Për Kounde, ndeshja e Barcelonës kundër Atletico Madridit do të jetë e 70-ta sezonale. Kësisoji, ai do të bëhet rekordmeni absolut për numrin e ndeshjeve të luajtura në një vit kalendarik.

Në krye të listës, me minutat e lojës në vitin 2024, Kounde kaloi kolumbianin e Fluminense, Jhon Arias, i cili ka luajtur 67 ndeshje (5599 minuta të kaluara në fushë).