Mijëra njerëz janë mbledhur në Valencia për të protestuar kundër reagimit të autoriteteve spanjolle ndaj përmbytjeve vdekjeprurëse të javës së kaluar.
Vendasit besojnë se përgjigja ishte keqmenaxhuar, me autoritetet që reaguan ngadalë dhe paralajmërimet që u dërguan shumë vonë.
Bëhet e ditur se protesta e organizuar nga grupe sociale e qytetare, dënoi trajtimin e katastrofës dhe bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit të qeverisë rajonale, Carlos Mazon.
Shumë marshues brohorisnin “Mazón dorëhiqu”, ndërsa të tjerë mbanin pankarta me mesazhe si “Ju na vratë!”
Disa të tjerë u përleshën me policinë përpara bashkisë së Valenicas, ku protestuesit filluan marshimin drejt selisë së qeverisë rajonale, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Më herët, Mazon tha se “do të ketë kohë për t’i mbajtur zyrtarët përgjegjës”, por se tani “është koha për të vazhduar pastrimin e rrugëve, për të ndihmuar njerëzit dhe për të rindërtuar”.
Ndryshe, Mazon ka thënë se ai “respekton” marshimin, por pretendon se do të kishte lëshuar alarme më herët nëse do të ishte njoftuar për situatën nga organi zyrtar i monitorimit të ujit, duke shtuar se përmasat e krizës ishin të paparashikueshme.
Disa komunitete u përmbytën nga ora 18:00 dhe u desh deri pas orës 20:00 që administrata e Mazon të dërgonte alarme në telefonat e njerëzve.
Numri i të vdekurve ishte 220, me 212 të raportuar vetëm në rajonin lindor të Valencias.
Mijëra të tjerë humbën shtëpitë dhe rrugët e tyre janë ende të mbuluara me baltë dhe mbeturina 11 ditë që nga mbërritja e një vale të ngjashme me cunamin pas një përmbytjeje rekord.
Megjithatë, kjo nuk është protesta e parë e zemëruar në rajon – mbretërit e Spanjës, kryeministri Sanchez dhe një numër liderësh rajonalë ishin hedhur me baltë nga turmat e zemëruara kur ata vizituan Paiportan.