Sporti

“Ju befasojmë në kundërsulm”, sulmuesi maqedonas kërcënon Italinë

11/16/2023 10:47
nga:E K

Italia sërish përballë Maqedonisë së Veriut. Ndryshe nga marsi i vitit të kaluar, kur të kaltrit humbën 0-1 në Palermo dhe i thanë lamtumirë Kupës së Botës Katar 2022, kampionët në fuqi të Europës do të tentojnë fitoren dhe hakmarrjen.

Për të vijuar të jenë në garë për kualifikimin në Euro 2024. Objektiv i realizueshëm nëse sigurohen 4 pikë kundër Maqedonisë së Veriut (17 nëntor) dhe Ukrainës (20) në Leverkusen të Gjermanisë.

Gjithsesi, në kampin kundërshtar të skuadrës së Luciano Spallettit janë gati të bëjnë surprizën e radhës. Këtë herë në “Olimpico”. Duel që vjen live në SuperSport 4 prej orës 20:45 të së premtes.

Bojan Miovski, sulmuesi që aktivizohet tek Aberdeen në Skoci, paralajmëron italianët se ai dhe shokët e tij nuk do të shkojnë për shëtitje në Romë.

“Është gjithmonë bukur kur luajmë kundër Kombëtareve më të mira. Ndeshjet e ardhshme kundër Italisë dhe Anglisë do të na mundësojnë të kuptojmë se në çfarë niveli jemi.

Nuk kemi presion dhe në ndeshjet e fundit kemi arritur rezultate të shkëlqyera kundër Italisë. Ne do të bëjmë lojën tonë, thjesht duhet të presim mundësitë tona në kundërsulm.

Është normale që ata të kenë më shumë kontrollin e topit dhe të lojës, por ne do të përpiqemi t’i befasojmë”, deklaroi 24-vjeçari i Maqedonisë së Veriut.