Eksperti dhe ligjëruesi nga Universiteti “Johns Hopkins”, EdWard P. Joseph, ka reaguar pas deklaratës së vendeve të QUINT-it Zyrës së BE-së dhe misionit të OSBE-së, të cilat kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për shpronësimin e disa pronave në veri.
Në nje reagim në X, ku ka shpërndarë deklaratë e postuar nga ambasada e ShBA-së në Kosovë, ai ka pyetur nëse dikush në Kosovë mund të mbrojë parimin e thjeshtë se është në interes të Kosovës që të ndjek ligjet dhe të trajtojë të gjithë qytetarët sipas ligjit.
“A mundet dikush në Kosovë të mbrojë parimin e thjeshtë se është në interesat strategjike të Kosovës të ndjekë ligjet e Kosovës dhe të trajtojë të gjithë qytetarët e Kosovës -përfshirë serbët e Kosovës -sipas ligjit?”, ka shkruar ai.
Në reagimin e QUNIT, BE dhe OSBE thuhet se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit.
Në deklaratë po ashtu thuhet se është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin.
“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, thuhet mes tjerash në deklaratë.