Showtime

Jonida Vokshi dhe Alaudin Hamiti, zyrtarisht prezantues të BBVK 3

10/13/2024 14:36
nga:G B

Tashmë është zyrtare!

Moderatori i njohur Alaudin Hamiti dhe moderatorja Jonida Vokshi do të udhëheqin sërish “Big Brother VIP Kosova”, për edicionin e tretë që nis më 18 tetor 2024.

“Jemi shumë të lumtur që do të kthehemi përsëri së bashku për këtë sezon të ri. Kemi krijuar një harmoni të veçantë gjatë dy edicioneve të mëparshme dhe mezi presim të sjellim emocione të reja për audiencën,” tha Hamiti gjatë një interviste ekskluzive për SOL.

Këtë sezon, ndryshimet janë të shumta dhe premtojnë të sjellin një format të rifreskuar, njofton Klankosova.tv.

Olsa Muhameti, e njohur për përvojën e saj të gjatë si producente, do të marrë drejtimin e produksionit.

“Ne kemi plane të mëdha për këtë edicion. Do të ketë shumë surpriza dhe ndryshime që do ta bëjnë programin edhe më interesant dhe konkurrues,” u shpreh Muhameti gjatë një bisede me Adelina Hasanin në SOL.

Për sa i përket opinionistëve, këtë herë do të shohim fytyra të reja. Milaim Zeka, analisti i njohur, është konfirmuar si një prej opinionistëve, ndërsa emri i opinionistit të dytë ende nuk është zbuluar.

Ndërkohë, ka pasur spekulime në rrjetet sociale për emrat e mundshëm të banorëve, por Muhameti e ka bërë të qartë se këto janë thjesht thashetheme.

“Asnjë nga emrat që po përfliten nuk është i saktë. Lista e banorëve të vërtetë do të zbulohet vetëm në natën e parë të spektaklit,” deklaroi ajo.

Pritjet janë të larta që “Big Brother VIP Kosova” të thyej rekordet e shikueshmërisë. Me një ekip të rifreskuar dhe energji të re, spektakli synon të ofrojë një eksperiencë unike për shikuesit, duke i lënë të ngujuar para ekranit.