Sporti

Qendërmbrojtësi Guri Hana po kërkohet nga klubet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri

01/06/2026 12:26
nga:Mergim Rreci

Pas përfundimit të kontratës me klubin e Superligës, Prishtina e Re, futbollisti i njohur kosovar Guri Hana po kërkohet nga klube të Superligës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Burime të Gazetës Blic, kanë bërë të ditur se mbrojtësi shtatlartë po ndiqet nga klube shumë serioze në elitën e futbollit kosovar, por edhe nga dy shtetet fqinje, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Qendërmbrojtësi ishte ndër futbollistët kryesorë në repartin defensiv, që mundësoi ngritjen e klubit Prishtina e Re në Superligën e Kosovës.
24-vjeçari Hana ka përmbyllur bashkëpunimin me Prishtinën e Re pas skadimit të marrëveshjes trevjeçare, duke u shndërruar në futbollist të lirë në tregun e transferimeve.

Largimin nga Prishtina e Re, futbollisti e ka konfirmuar edhe publikisht, duke falënderuar klubin për periudhën e suksesshme.

“Ju njoftoj se pas gati tre vitesh kam përfunduar bashkëpunimin me klubin Prishtina e Re. Një periudhë në të cilën u shpallëm kampionë në Ligën e Parë dhe arritëm suksesin historik – ngjitjen në Superligë. Faleminderit klubit dhe të gjithëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi”, ka shkruar Hana.

Në karrierën e tij, Guri Hana ka ndërtuar një përvojë të pasur si në futbollin vendor, ashtu edhe jashtë vendit. Në moshë të re, ai ka qenë pjesë e futbollit gjerman, ku si 18-vjeçar u aktivizua në Ligën e Katërt me skuadrën LSK Hansa, duke fituar përvojë të vlefshme në një ambient konkurrues.

Ai është produkt i Akademisë së 2 Korrikut, ku gjatë viteve të juniorëve mbante edhe shiritin e kapitenit. Ai ka luajtur gjithashtu për klubet Besa e Pejës, Ramiz Sadiku dhe Trepça ’89, përpara se t’i bashkohej Prishtinës së Re.

E ardhmja e Guri Hanës pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa interesimi i vazhdueshëm nga disa klube dëshmon kualitetet e tij fizike dhe taktike.