Trajneri i mirënjpohur kosovar, Gani Sejdiu, e ka komentuar shortin e ditës së nesërme, atje ku Kosova do të mësojë kundërshtarin për gjysmëfinalen e ‘Play-off’-it.
Polonia, Çekia, Uellsi dhe Sllovakia janë katër kombëtaret me të cilat do të shortohet Kosova, me hedhjen e shortit që bëhet nesër me fillim nga ora 13:00.
Në prononcimin e tij për ‘GazetaBlic Sport’, Sejdiu tha se Uellsi dhe Sllovakia janë kombëtare më të përballueshme, kurse, Polonia dhe Çekia janë kundërshtarë më të vështirë.
“Për të qenë i sinqertë, të gjitha këto kombëtare janë pothuajse në të njëjtin nivel, por unë mendoj se Uellsi dhe Sllovakia do të ishin më të përballueshme. Uellsi, edhe pse është shumë fizik dhe diktues i ritmit, nuk ka të njëjtin cilësi si në kohën e Gareth Bale-it, dhe për këtë kam këtë mendim. Ndërkohë, Polonia dhe Çekia janë kundërshtarë më të vështirë, por jo të papërballueshëm, pasi aktualisht kanë më shumë eksperiencë, gjë që luan një rol të madh në kësi ndeshjesh”, deklaroi Sejdiu.

/GazetaBlic Sport/


