Sporti

Drita për histori ndaj FCSB, Osmani: Ndeshje e vështirë, të synohet një rezultat pozitiv

08/06/2025 18:15
nga:Mergim Rreci

Skaudra e Dritës është gati për sfidën e madhe ndaj FCSB.

Ekipi kampion i Kosovës ka udhëtuar në Rumani, atje ku do të synojë rezultat sa më pozitiv, në ndeshjen e raundit të tretë kualifikues në Europa League.

Ky takim zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:30, në Stadiumin Nacional në Bukuresht, atje ku paraprakisht kishte luajtur edhe Kombëtarja e Kosovës ndaj Rumanisë, në një ambient aspak miqësor.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ish lojtari i skuadrës së Dritës, Përparim Osmani, tha se do të jetë shumë e vështirë ndaj një kundërshtari siç është FCSB.

Megjithatë, ai tha se skuadra kosovare duhet të marrë rezultat pozitiv, kurse më pas të synojë kualifikimin tutje.

“Një ndeshje e vështirë për Dritën kundër një skuadre që ka lënë gjurmë në futbollin evropian, gjithashtu kampione e shumëfishtë në Rumani, poashtu, kualiteti është në anën e tyre. Shpresoj që Drita të ketë fat dhe të marrë rezultat pozitiv. Pastaj në ndeshjen e kthimit do të kenë edhe mbështetjen e madhe të ‘Intelektualëve’ dhe pse jo të kalojnë në raundin tjetër”, tha Osmani.

/GazetaBlic Sport/