Lajme

Jevtiq: Nuk do të lejojmë që serbët të trajtohen në Kosovë si qytetarë të rendit të dytë

03/22/2022 20:11
nga:Astrit Gashi

Dalibor Jevtiq, Përfaqësuesi i serbëve nga Kosova, ka folur gjithashtu, pas takimit që serbët nga Kosova patën me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Situata jonë nuk ka qenë kurrë më e vështirë. Kjo është dhunë institucionale. Nëse ju them se kemi ardhur në një situatë që nuk shohim rrugëdalje, do ta kuptoni se sa larg kemi arritur. Vendimi për të mos lejuar zgjedhjet në Kosova është shkelja e fundit e të drejtave të njeriut për të nxitur reagimin tonë”, tha Jevtiq.

Siç tha, tani duan t’i mohojnë edhe një të drejtë elementare të njeriut, e ajo është e drejta e votës.

“Dikush dëshiron të na vendosë në një pozitë edhe më të vështirë, por edhe të provokojë një reagim dhe ta vendosë Beogradin në një pozitë më të vështirë. Është e vërtetë, ne nuk u pajtuam për herë të parë për atë se çfarë mendojmë dhe çfarë mendon presidenti. Por ajo për të cilën ramë dakord është që ne i besojmë vetëm Presidentit dhe vendit tonë, do të luftojmë në mënyrë demokratike dhe të premten do të kemi protesta paqësore si një formë e luftës sonë me një porosi të qartë, se nuk duam të jemi qytetarë të rendit te dytë dhe që askush në shekullin e 21-të të mos na i mohojë të drejtat tona thelbësore. Kemi pasur një ditë të gjatë dhe të vështirë dhe kjo pasqyron atë që ne si popull po kalojmë aktualisht në Kosovë,” tha Jevtiq.

Ai tha se ajo që ndodhi në Shtërpcë është vetëm një nga problemet me të cilat po ballafaqohen serbët aktualisht.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet sepse duam të marrim një vendim të mençur. Presidenti sot tregoi qartë se është pro paqes, edhe pse ka pasur propozime të ndryshme”, përfundoi Jevtiq.