Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, gjatë vizitës së tij në SHBA, u takua me kongresmenë, zyrtarë të Departamentit të Tregtisë dhe Departamentit të Shtetit, si dhe me të dërguarin amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar. Në takime, Jevtiq ka folur për situatën politike dhe qëndrimin e serbëve në Kosovë.
Me zyrtarët e Tregtisë (Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë), temë e diskutimit ishin resurset e Komunës së Shtërpcës, me theks të veçantë në Qendrën e Skijimit në Brezovicë dhe iniciativën e Jevtiqit që menaxhimin e qendrës së skijimit ta vendosë në kuadër të vetëqeverisjes lokale, për të hapur derën për investime nëpërmjet një projekti të partneritetit publiko-privat.
Siç ka deklaruar në Facebook, në fund të vizitës së tij në Uashington, Jevtiq është takuar me Escobarin në Departamentin e Shtetit dhe tema kryesore e atij takimi ka qenë situata aktuale në Kosovë, si dhe mesazhi i qartë se SHBA-të për formimin pa vonesë të Asociacionit.
“Jevtiq gjithashtu e njoftoi Escobarin për problemet dhe presionet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë dhe theksoi se për shkak të retorikës së pushtetarëve aktualë në Prishtinë ndaj serbëve dhe kriminalizimit të popullit serb, pati tentativa për vrasjen e Stefanit dhe Milloshit Stojanoviq në Gotovushë, sulm ndaj të rinjve serbë në Kllokot dhe në veri të Kosovës”, thuhet në Facebook.
Jevtiq theksoi se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të formohet në mënyrën e paraparë me Marrëveshjen e Brukselit dhe se Asociacioni nuk është institucion që do t’i heq të drejtat e shqiptarëve apo të ndonjë kombi tjetër.
Escobar, thekson ai, edhe një herë pa mëdyshje e ka shprehur qëndrimin se Asociacioni do të formohet dhe se nuk mund të ketë më vonesa në atë proces.
“Ai gjithashtu theksoi nevojën që serbët të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës me kapacitet të plotë në mënyrë që të gjitha kombet të punojnë së bashku për të ndërtuar bashkëjetesë dhe besim të ndërsjellë”, tha Jevtiq dhe shtoi se e ka ftuar Escobarin të vizitojë komunën e Shtërpcës.


