Jetmir Topalli është një nga lojtarët e rinj të Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e fundit të muajit qershor.
Kosova do të luajë miqësore ndaj Guinesë me 8 qershor, kurse ndaj Gambisë me 11 qershor. Të dy këto ballafaqime do të zhvillohen në Antalia të Turqisë, shkruan GazetaBlic Sport.
Topalli është ftuar nga selektori Challandes për këto dy duele.
Sulmuesi i Malatyaspor, Jetmir Topalli është shprehur shumë i lumtur për ftesën që ka marrë nga kombëtarja e Kosovës.
“Ndihem shumë mirë, si çdo herë mezi pres të përfaqësojë vendim tim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha fillimisht Jetmir Topalli për ‘GazetaBlic Sport’.
“Ftesa ka ardhë në një moment tejet të mirë pas ndeshjeve që kam zhvillu në Turqi dhe jam shumë i kënaqur, me këtë rast falënderojë trajnerin, stafin e tij dhe Federatën për ftesën”, vazhdoi Topalli.
Në fund, ai premtoi se do të japë gjithçka nga vetja për shtetin e Kosovës.
“Dardanëve mund t’ju them që do japim gjithçka për vendin, për këtë fanellë, dhe të dalim si fitues në këto ndeshje”, përfundoi Topalli.
/GazetaBlic Sport


