Cult

Jetët e policëve të vrarë, mblidhen në librin “Yjet mbi dafina”

02/20/2022 21:58
nga:Gazeta Blic

I erdhi radha edhe Shkupit.

Kryeqendra e Maqedonisë së Veriut, u bë këtë javë adresa e radhës e promovimit të monografisë dedikuar 21 policëve kosovarë të vrarë.në detyrë.

Autorja e librit “Yjet mbi dafina”, Hana Hoxha, e kishte promovuar atë edhe në Tiranë, pas prezantimit fillestar që e bëri në Prishtinë, më 6 shtator, në përvjetorin e 21-të të themelimit të Policisë së Kosovës.

Ajo tregoi në një intervistë për
Klankosova.tv
. se si ka ardhur deri tek ideja për librin, i cili është i pari që iu kushtohet atyre që e kanë humbur jetën në luftën me krimin.

“Ishte afër përvjetori i 21-të i Policisë së Kosovës. Dhe, po mendoja se cilat do të ishin aktivitetet që do t’i realizoja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pikërisht në ato ditë para se të filloja, ra në krye të detyrës polici Sami Thaçi. Andaj, aktivitetet e planifikuar në sferën e kulturës vendosa t’i lë anash dhe u fokusova të bëja diçka që do të nderonte heroizmin e 21 zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës. Dhe, mendova që monografia do të ishte një nismë përmes së cilës do të përmblidhen të dhëna bazike për jetën dhe misionin e këtyre heronjve”, tha ajo.

“Polici i parë që u vra duke e kryer detyrën e tij ishte Lazim Rexhepi, i cili u vra më 11 shtator të vitit 2001. Dhe, i fundit që ishte Sami Thaçi që u vra në janar të 2020-ës. Në mesin e tyre e vrarë është edhe një grua police Sabahate Tolaj, si dhe në mesin e këtyre 21 zyrtarëve është edhe një polic i komunitetit serb Slavisha Milovanoviq”.

Libri përmbledh të dhëna se si ka ardhur deri tek momenti kritik, por edhe informata biografike dhe fotografi të jetës private dhe publike të këtyre zyrtarëve, të siguruara nga Policia e Kosovës dhe familjarët e policëve në fjalë.

Kështu, ajo ka mësuar se shumë nga pjesëtarët e rënë ishin dëshmuar edhe më herët në shërbimin ndaj vendit.

“Shumë nga 21 pjesëtarët e rënë kishin një jetë në shërbim të atdheut. Ishin pjesëtarë të UÇK-së e TMK-së e që më pas e veshën edhe uniformën e policisë,” tha ajo.

E në mesin e të vrarë kishte të tillë që shquheshin edhe për shkathtësi të tjera.

“Disa nga të rënët kishin edhe talente të ndryshme përpos punës që bënin. Në mesin e tyre kishte edhe sportistë të zotë e disa ishin edhe mjeshtër të artit që në kohën e lirë zhvillonin hobitë e tyre”.

Tutje në monografinë “Yjë Mbi Dafina”, autorja tregon se edhe disa nga pasardhësit e këtyre pjesëtarëve e kanë vazhduar amanetin e tyre duke e veshur uniformën e Policisë, ose ua kanë trashëguar edhe emrat.

Ajo që dua të tregojë dhe që është shumë interesante është që disa nga pasardhësit e kanë trashëguar punën. P.sh djali i Isuf Haklajt, Shpati e ka veshur uniformën e policisë, vëllai i Enver Zymerit, etj. E në disa raste emri i disa prej policëve që janë vrarë është përtërirë tek gjeneratat më të reja, respektivisht tek nipat e tyre”.

Hoxha i kishte dhuruar policisë edhe një mozaik prej qeramike, për nderë të 20-vjetorit të themelimit të këtij shënimi.

Këtu janë emrat e policëve të vrarë në detyrë, e të shpallur “Heronj të Kosovës”.

Lazim Rexhepi;

Danush Hasani;

3.Hajdar Ahmeti;

4.Sabahate Tolaj;

5.Isuf Haklaj;

6.Arsim Rrustolli;

7.Ilir Llapatinca;

8.Driton Mehana;

9.Abedin Mustafa;

10.Avni Kasumi;

11.Triunf Riza;

12.Slavisa Milovanoviq;

13.Misin Krasniqi;

Enver Zymeri;

15.Jahi Maliqi;

16.Nebih Ramadani;

17.Shemsi Gashi;

18.Armend Trena;

19.Malsor Dashi;

20.Izet Demaj;

21.Sami Thaqi.