Lajme

Jeta Rafuna – Hasani jep lajmin e mirë: Me projektet e vitit 2025, do të ketë më pak trafik në Prishtinë!

12/22/2024 16:34
nga:G C

Kandidatja e LDK-së për deputete, Jeta Rafuna Hasani e cila është edhe shefe e asambleistëve në Komunën e Prishtinës ka folur për projektet që do të realizohen në vitin 2025, duke theksuar se ato do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të trafikut dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetesës për qytetarët.

Ajo tha se përfundimi i rrugës A dhe lidhja e saj me rrugën B, unaza e brendshme dhe ndërlidhja e pllatosës me Arbërinë do të lehtësojnë qarkullimin dhe do të reduktojnë kolonat e trafikut në qytet.

“Është e vërtetë që kohë pas kohe ka kolona të shumta në trafik, mirëpo projektetet të cilat do të realizohen në vitin 2025, do të shkarkojnë edhe kolonat. Përfundimi i rrugës A, përfundimi i lidhjes së rrugës A me atë B, unaza e brendshme, ndërlidhja e pllatosë me Arbërinë, atëherë shumë vetura nuk kanë nevojë të hyjnë në qytet”, tha Rafuna-Hasani.

Po ashtu, kandidatja theksoi rëndësinë e ndërtimit të shkollave, duke përmendur rastin e lagjes “Veterrniku”, ku prindërit janë të detyruar të udhëtojnë dy herë për të çuar fëmijët në shkolla të tjera.

Ajo njoftoi se më 1 shtator do të fillojë mësimi në shkollën “Qëndresa” në Veterrnik, një projekt që do të lehtësojë jetën e prindërve dhe fëmijëve.

Rafuna Hasani, po ashtu kritikoi bllokimin e disa projekteve nga Qeveria e Kosovës, përfshirë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes “Termokos”, dhe tha se ky bllokim po pengon zhvillimin e Prishtinës.

Sipas saj, këto veprime janë një përpjekje për të penguar punën dhe zhvillimin e kryeqytetit.

“Unaza e Jashtme, nuk është i vetmi projekt që është bllokuar nga Qeveria e Kosovës. Vitin e kaluar, si Kuvend komunal kemi ndarë 5 milionë euro për zgjerimin e rrjetit së ngrohtorës “Termokos”, ku kanë pasë të kyqen banesat e bardha dhe një pjesë e madhe e objekteve shkollore, poashtu edhe Kazerma “Adem Jasharin” në Kalabri, por Hekuran Murati e ka bllokuar”

“Këtë e kanë bërë sepse iu pengon zhvillimi i Prishtinës dhe puna jonë”, përfundoi ajo për GazetaBlic.