Cult

Jeta dhe karriera e divës muzikore Whitney Houston së shpejti do të shfaqet në ekranin e madh

09/18/2022 21:56
nga:G C

Paraqitja e parë e shkurtër sjell detajet e para të adaptimit filmik të një prej gjigantëve më të mëdha të muzikës pop të të gjitha kohërave, autor i të cilit është filmbërësi i “Bohemian Rhapsody”.

“I Wanna Dance With Somebody”, “I Will Always Love You”, “How Will I Know”, “I Have Nothing”… Është vërtet e vështirë të veçosh, e lëre më të rendisësh, të gjitha hitet e arritura nga një prej divave më të mëdha të të gjitha kohërave, Whitney Houston.

Dëshmi për këtë është rekordi Guinness për artisten më të vlerësuar të të gjitha kohërave me më shumë se 400 çmime, duke përfshirë gjashtë çmime Grammy. Historinë emocionuese dhe energjike të një jete dhe karriere do të mund ta shohim në filmin “I Wanna Dance With Somebody: The Movie about Whitney Houston”, për të cilin është publikuar traileri i parë.

Traileri tregon fillimet e bashkëpunimit të saj me producentin muzikor Clive Davis, si dhe momentet dhe koncertet më të paharrueshme nga jeta dhe karriera e saj.

Qershia mbi tortë ishte interpretimi spektakolar i himnit kombëtar amerikan nga Whitney në Super Bowl të vitit 1991 para më shumë se 70.000 spektatorëve.

Në këtë dramë biografike, protagonisten kryesore e luan Naomi Ackie, producentin Clive Davis e luan Stanley Tucci, derisa nënë e këngëtares e portretizon Tamara Tunie, derisa në rolet tjera shfaqen edhe Clarke Peters, Nafessa Williams e Ashton Sanders.

Kasi Lemmons është regjisore e filmit, ndërsa për shkrimin e skenarit është përfshirë edhe Anthony McCarten, skenaristi i filmit “Bohemian Rhapsody” që numëron katër nominime për Oscar.

Filmi për jetën dhe karrierën e Whitney Houston është caktuar të nisë shfaqjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 21 dhjetori i këtij viti. /Telegrafi/