Interi ia doli të fitojë me rezultatin minimal 0-1 ndaj Fiorentinës dhe të ngjitet në krye të renditjes, teksa në përballjen e “Artemio Franchit” vëmendja ishte padyshim edhe te mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani.
Në mungesë të turkut Calhanoglu, pritej me shumë interes të shihej performanca e shqiptarit si titullar, teksa Asllani nuk zhgënjeu aspak, duke regjistruar edhe asistin e parë sezonal, pasi me krosimin nga këndi, gjeti mirë Lautaron në zonë, i cili e dërgoi topin në rrjetë.
Sajti i specializuar “SofaScore” vlerësoi mesfushorin kuqezi me notën 7.3, e treta më e mirë te Interi, pas Lautaros që u vlerësua me notën 7.8 dhe portierit Sommer që mori notën 7.7.
“Vëmendja ishte te ai, në mungesë të Calhanoglu dhe bëri mjaft mirë detyrën. Natyrisht që nuk është Calhanoglu, por nuk fshihet asnjëherë dhe është gjithmonë në vendin e duhur për të marrë topin nga shokët e skuadrës. Dikton kohët e daljes në sulm dhe provon edhe me topa të gjatë, por i duhet më shumë koordinim me pjesën tjetër të ekipit”, shkruhet në përshkrimin për mesfushorin kuqezi.