Showtime

Jennifer Lopez, 53 vjeçe dhe me një fizik të admirueshëm. Dietë, palestër, vrap…; ja si e mban veten në top-formë

08/08/2022 09:15
nga:G B

Nuk bëhet fjalë vetëm për dashurinë me Ben Affleck. Jennifer Lopez, e cila pak ditë më parë mbushi 53 vite, me dy fëmijë 14-vjeçarë, është më seksi se kurrë falë kaq shumë sekreteve të bukurisë.

Ja cilat janë ato.

GJITHMONË NË KRYE

Aktorja dhe ylli i pop-it është martuar me Ben Affleck dhe tani ndodhet në Paris në muajin e mjaltit. Ndërkohë, ajo shfaqet në Instagram me bikini dhe kimono, me një trup yjor. Jo vetëm kaq: palestër, ushqim i shëndetshëm, por mbi të gjitha lumturi, pasi ditët e fundit tha se e bën të buzëqeshë mendimi se trupi i saj konsiderohet ndër më të mirët në botë. Gjithçka që i intereson është të ndihet mirë me veten dhe Benin. “Nuk ka më dramë”, – tha ajo. Dhe një nga sekretet e formës së saj fizike është pikërisht kjo.

UNAZË KUSHTUAR BEN

Herë pas here, Jennifer Lopez bën paparacin e vetes. Kështu, teksa doli nga palestra, me stilin e zakonshëm dhe të pagabueshëm, ajo shkoi për të marrë unazat. Njëra prej tyre i dedikohet Ben Affleck. Po si? Një zemër e vendosur mbi njërin gisht, një shkronjë “B” në gishtin tjetër.

YLL BOTËROR

Ka nga ata që thonë se që kur Jennifer Lopez, me 192 milionë ndjekës vetëm në Instagram, është rikthyer me Ben Affleck, trupi ka përfituar aq shumë, saqë edhe ato (pak) rrudha që kishte më parë, janë zhdukur. Kjo është magjia e dashurisë, edhe pse fiziku i saj ka qenë gjithmonë i një ylli botëror. Në moshën 53-vjeçare dhe me dy fëmijë 14-vjeçarë, ajo nuk ka asgjë për t’ua pasur zili vajzave 30 vite më të vogla, të cilat, në të vërtetë, e shohin atë si një shembull bukurie dhe jetëgjatësie.

DIETA E SAJ

Për “Jenny from the block”, nëse citojmë një nga këngët e saj më të famshme, ushqimi ka luajtur gjithmonë rol themelor. Sekreti i dietës? Mos ushqehuni gjithmonë njësoj, por përshtatuni me nevojat e momentit dhe moshës. Për shembull, pas dy shtatzënive, ajo zgjodhi një dietë vegane për të hequr kilogramët e tepërt. Në atë kohë ajo deklaroi: “Unë e gjeta veten me 8-10 kilogramë më shumë dhe e mora situatën në dorë”. Jennifer nuk pi kurrë kafe, nuk e anashkalon kurrë mëngjesin (smoothie me luleshtrydhe, boronica, mjedra, kos grek, mjaltë, lëng limoni dhe akull) dhe, me disa përjashtime, darkon gjithmonë para orës 19:00.

TRAJNIMET

Jennifer këndon, kërcen, merret me ngritje peshash, bën pilates dhe aplikon vrapin. David Kirsch është trajneri i saj personal dhe stërvitet me të për rreth një orë, katër ose pesë herë në javë, duke u fokusuar në pjesë të ndryshme të trupit çdo herë. Mes ushtrimeve të barkut, kërcimit me litar, veglave, squats, sumo, Jennifer nuk ndalet kurrë.

GJUMI

Cilësia e gjumit është thelbësore për trupin dhe lëkurën. David Kirsch tha për “Vogue”: “Nga stërvitja, dieta, stresi dhe njerëzit me të cilët jeni rrethuar, gjithçka ndikon në formën tuaj fizike”. Kjo është arsyeja pse ai futi në jetën e Jennifer disa pajisje për të matur cilësinë e gjumit, veçanërisht “unazën Oura”, një unazë titani që monitoron parametrat jetikë gjatë gjumit.

LËKURA

Kujdesi për lëkurën e fytyrës është thelbësor për Jennifer. “Është karta ime e vizitës”, – tha ajo së fundmi. Jennifer përdor acid glikolik me një veprim eksfolues në lëkurë dhe indikohet për të hequr qafe shtresën e qelizave të vdekura, përgjegjëse për çehre të lodhur. Siç ka treguar për revistën “People”, përkujdesja me kremëra specialë i siguron shkëlqimin që i ndriçon fytyrën. Ajo nuk del kurrë, edhe në mes të dimrit, pa kremin kundër diellit.