Lajme

“Jemi vetëm, fundi ynë po afrohet”, katastrofë në Greqi, tragetet evakuojnë mijëra njerëz

08/08/2021 15:53
nga:M K

Greqia po lufton zjarret e pakontrolluara për ditën e gjashtë me radhë. Ushtarë janë dërguar për t’i ndihmuar zjarrfikësit.

Shtëpi dhe objekte të shumta janë djegur dhe situata është më e keqja në ishullin Euboea, ku tragetet janë gati për evakuime të reja të banorëve që përballen me ditën e re e ferrit në tokë, raporton mediumi kroat, Index.hr.

“Ne jemi vetëm. Fundi ynë po afrohet”, tha kryebashkiaku i qytetit të rrezikuar të Istiaias, Giannis Kotzias, për TV Sky grek.

Zjarret që kanë kërcënuar periferitë veriore të Athinës ditët e fundit janë zbutur disi, por një zjarr në Euboea ka ndezur dhe shkatërruar mijëra hektarë pyje në veri dhe ka detyruar evakuimin e dhjetëra fshatrave.

“Jam zemëruar. Kam humbur shtëpinë time … Nesër asgjë nuk do të jetë më si më parë”, tha një banore e cila u prezantua si Vasilikia pasi hipi në një traget shpëtimi në fshatin Psaropouli.

“Është një katastrofë. Fshatrat tanë janë shkatërruar, nuk ka mbetur asgjë nga shtëpitë tona, pronat tona, asgjë, asgjë”, tha ajo.

Zjarret në pyje shpërthyen në shumë pjesë të vendit gjatë një vale të nxehtit, e cila rezultoi të jetë më e keqja në Greqi në tri dekadat e fundit. Dhjetëra shtëpi dhe biznese u shkatërruan.

Greqia ka vendosur trupa për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, dhe disa vende, përfshirë Kroacinë, Francën, Egjiptin, Zvicrën dhe Spanjën, kanë dërguar ndihmë.

Më shumë se 570 zjarrfikës po luftojnë me zjarrin në Euboea, thanë autoritetet.

Roja Bregdetare ka evakuuar më shumë se 2,000 njerëz nga ishulli që nga e marta, kryesisht banorë të moshuar.