Zëvendësdrejtori për Mitrovicën e Veriut në Policinë e Kosovës, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qetë, por delikate.
Duke iu referuar paralajmërimeve për tensione të mundshme, Elshani ka thënë se ndonëse nuk mund të përjashtohet ndonjë ngjarje si protesta apo sulme të mundshme, Policia e Kosovës është e gatshme të reagojë.
“Jemi një numër i mjaftueshëm i policëve në veri të vendit, sepse jemi këtu për të ofruar siguri për qytetarët, dhe deri tani këtë po e bëjmë”.
Konsiderojmë se kemi numër të mjaftueshëm për të reaguar nëse është e nevojshme. Nuk përjashtojmë ndonjë ngjarje që mund të ndodhë, qoftë protestë apo sulm i mundshëm, por jemi të gatshëm të reagojmë, ka thënë Elshani, në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Situata në veri vazhdon të mbetet nën vëzhgim të afërt nga institucionet e sigurisë, për të parandaluar çdo eskalim të mundshëm.