Lajme

“Jemi të gatshëm të ndihmojmë”, “Qëndrojmë pranë familjeve të viktimave”, reagimet e krerëve të Kosovës pas tragjedisë në Koçan

11 orë më parë
nga:G C

Në diskotekën “Pulse” që dikur kishte qenë një depo qilimash në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mbrëmë gjetën vdekjen 59 të rinj, ndërsa deri tani raportohen të jenë 155 të tjerë të lënduar.

Qeveria maqedonase për këtë tragjedi sot mori vendim që të shpall 7 ditë zie, kurse Hristjan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në një konferencë për media pas tragjedisë së madhe në Koçan tha se do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar.

Për tragjedinë e rëndë kanë reaguar edhe krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca.

Presidentja Vjosa Osmani përmes rrjetit social, X, shprehu ngushëllime për viktimat dhe të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut.

“Lajm shkatërrues nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të thuhet. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona”, shkroi Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme që të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme Maqedoninë e Veriut, pas tragjedisë që ndodhi në Koçan, ku zjarri që shpërtheu brenda një klubi të natës, mori jetën e 59 të rinjve dhe të rejave.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti më tutje thotë se kjo tragjedi le të jetë rikujtim i vlefshëm për të gjithë ne për kujdes të shtuar dhe respektim të protokolleve të sigurisë si në organizim ashtu edhe në standardin e infrastrukturës ndërtimore në vendin tonë.

“Tronditës dhe pikëllues lajmi për tragjedinë sot në Koçan të Maqedonisë së Veriut të shkaktuar nga zjarri në një klub nate, ku sipas të dhënave zyrtare deri më tani kanë humbur jetën 59 të rinj e të reja. Dhimbja sa vjen e rëndohet nga secila jetë e humbur. U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave, të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe liderëve shtetërorë të vendit tonë fqinj, ndërkaq të lënduarve u përcjellim urimet tona më të sinqerta për shërim të shpejtë dhe të plotë”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme dhe të vullnetshme që të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme. Teksa ndajmë dhimbjen e shprehim ngushëllime, le të jetë kjo tragjedi rikujtim i vlefshëm për të gjithë ne për kujdes të shtuar dhe respektim të protokolleve të sigurisë si në organizim ashtu edhe në standardin e infrastrukturës ndërtimore në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa kryekuvendari Glauk Konjufca e ka quajtur tronditës lajmin për vdekjen e të rinjëve maqedonas.

“Tronditës lajmi i vdekjes së të rinjve në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e zjarrit në një klub nate. Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë ngjarje të tmerrshme! Qëndrojmë pranë tyre dhe Maqedonisë së Veriut, në këto momente të vështira për ta. Të lënduarve në këtë ngjarje të rëndë iu dëshirojmë shërim sa më të shpejtë e sa më të lehtë!”, ka shkruar ai.