Lajme

“Jemi në terr informativ”/ Halimi: Qytetarët duan ta shohin draft statutin e Asociacionit – s’ka pse të jetë mister

11/07/2023 20:26
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se drafti i Asociacionit tani është më i avancuar por që kanë vërejtje dhe ato ia kanë paraqitur përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Ndërsa, në takimin e këtij të fundit me përfaqësuesit e partive opozitare në vend, pas takimit lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se e ka parë draft statutin e Asociacionit, ndërsa që kreu i PDK-së Memli Krasniqi, e nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kanë thënë se nuk e kanë parë draftin.

Kryeministri Kurti po ashtu ka deklaruar se s’mund t’i publikojë vërejtjet e kritikat që i ka për draftin, derisa ka pasur mjaft reagime për mos transparencë të tij, për mos publikimin e draft statutit të Asociacionit.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se jemi në terr informativ dhe se nga qeveria nuk ka llogaridhënie e as transparencë.

“Llogaridhënia e transparenca janë dy komponentët kryesor të një qeverisje të mirë. Pa ato nuk mund të shkojmë më tutje, nuk mundemi kurrsesi të flasim për politikëbërje korrekte dhe të besueshme. Fatkeqësisht, jemi në një terr informativ, tash e sa kohë, apo më mirë thënë, që prej fillimit të mandatit të kësaj qeverie. Për asgjë dhe për asnjë temë nuk jemi të informuar”, thotë ajo.

Sipas Halimit, qytetarët s’duan arsyetime për draftin por duan ta shohin dhe lexojnë vetë atë dhe se nëse nuk ka çka të fshihet, s’ka pse të mbahet mister.

“Qytetarët nuk duan të dëgjojnë interpretime, arsyetime e përshkrime për versionin “modern” apo “të avancuar” të Asociacionit, por duan ta shohin dhe lexojnë vetë draft-statutin. Nëse nuk ka çfarë të fshehët, nuk ka pse të mbahet mister ky dokument kaq i rëndësishëm për të ardhmen dhe fatin e shtetit tonë”, deklaron zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi./Gazeta Blic/

Kurti: Drafti i tanishëm i Asociacionit më i avancuar – vërejtjet ia kam dërguar Lajçakut, s’mund t’i publikoj