Djali i Haxhisë, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim në Hagë së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë.
“Jena mërzit boll, jemi mërzit boll për të”. Këto ishin fjalët e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi sot kur u bë një vit nga dorëzimi në qendrën e paraburgimit në Hagë. Sipas Haxhi Thaçit, mbajtja e ish-krerëve të UÇK’së në Hagë është e padrejtë dhe drejtësia do të triumfojë së shpejti.
“Unë mendoj se do të lirohet së shpejti sepse janë të pafajshëm tanë. Të fortë janë kanë edhe kanë me kanë. Ku të qëllojnë ata kanë me kanë të fortë”, tha ai për RTK-në.
Thekson se lufta dhe gjithë veprimtaria e djalit të tij e bën të ndihet krenar.
“Është në burg për këtë Atdhe”, theksoi Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së tij të parë në Hagë, ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara.