Spanja ka nisur tashmë të mendojë për finalen e madhe të Euro 2024, aty ku do të sfidojë Anglinë.
Ambienti i “La Rojas” është tejet optimist për suksesin dhe kjo kuptohet qartë nga konferenca për shtyp e Dani Vivian. Mbrojtësi shprehet se të gjithë lojtarët mezi po presin që të zbresin në fushë dhe të fitojnë ndeshjen, ndërsa shtoi se te Spanja rëndësi ka grupi dhe jo individi.
“Si ndjehemi? Si fenomenë, më shumë ëndrra dhe me gjithë dëshirën për t’ia dalë mbanë. Mezi presim që të vijë ora dhe të fitojmë finalen. Këtu tek Spanja secili ka përgjegjësinë e tij dhe të gjithë punojmë për të mirën e përbashkët, grupi është më i rëndësishëm se individi dhe stafi teknik përpiqet të marrë më të mirë nga të gjithë.Trajneri po na qëndron pranë dhe na motivon, jemi shumë të lumtur që kemi mundësinë të punojmë me të. Harry Kane? Ai është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim, skuadra angleze ka shumë lojtarë deçizivë. Duhet të tregohemi shumë të vëmendshëm. Por, shpresoj që të dielën të marrim fitoren dhe të kurorëzojmë të gjithë punën e këtyre ditëve”, u shpreh Vivian.