Lajme

Javë me temperatura të larta – Specialisti i mjekësisë familjare apelon për kujdes, thotë se nga djegia vjen edhe kanceri i lëkurës

06/18/2024 12:23
nga:N K

Në një prononcim për Gazeta Blic, Dr. Rushit Ismajli specialist i mjekësisë familjare, ka folur rreth temperaturave të larta që po mbizotrojnë në vend.

Ai tregon se cilat janë dobitë e rrezeve të diellit si dhe efektet negative.

“Rrezet e diellit janë të dobishme për formësimin e vitaminës D në organizmin tonë, si edhe forcimin e kockave dhe rritjen e imunitetit, por temperaturat shumë të larta mund të kenë edhe efekt negativ në trupin tonë”, u shpreh ai.

“Mund të mbingarkojnë zemrën për shkak se rritet fluksi i gjakut në lëkurë, gjë që edhe mund të shkaktojnë rënie të menjëhershme të shtypjes së gjakut, mund të avullojë jashtë mase trupin tonë, ashtu që edhe të shkaktojë dehidrim (humbje të lëngjeve, të shkaktojë djegie të lëkurës dhe më këtë të rrisë rrezikun për kancer të lëkurës”, deklaroi ai

Krahas kësaj, ai ka folur dhe si ndikojnë temperaturat e larta tek gratë shtatëzëna, tek fëmijët dhe tek të moshuarit.

“Dalja në diell është e rëndësishme për shtatëzënat dhe për frytin e tyre, por edhe ato edhe fryti janë më të ndjeshme ndaj temperaturave shumë të larta pasi që humbja e lëngjëve mund të ndikojë keq në shëndetin e tyre, kurse te fryti mund të shkaktojë dëmtimin e trurit”, tha Ismajli.

“Fëmijët e vegjël, sidomos ata nën moshën 6 muajshe kanë nevojë për diell, por nuk duhet ekspozuar direkt në rreze të diellit”.

“Të moshuarit gjithashtu përfitojnë nga rrezet e diellit dhe u rekomandohet të dalin dhe të bëjnë aktivitet të rregullt, sidomos ecje në natyrë. Janë më të ndjeshëm në temperature të larta se grupmoshtat tjera, sidomos ata që kanë sëmundje kronike, si: hypertension, diabet, apo yndyrna të rritura në organizëm”, shtoi ai.

Tutje ai tregon se në cilën orë duhet t’i shmangemi daljes në diell.

Dalja në diell është e dobishme për shëndetin tonë, por duhet të shmangen temperaturat shumë të larta, sidomos dalja direkte në rreze të diellit nga ora 10 e mëngjesit deri në 14 e drekës, pasi që koncentrimi i rrezeve ultravjollcë është shumë i lartë në atë kohë”, tha ai për Gazeta Blic.

Ismajli tutje tregon se cilat ushqime duhet t’i perdorim gjatë këtyre temperaturave të larta.

“E rëndësishme është që të ushqeheni me rregull, të konsumoni dietë të shëndetshme me pak kripë, me pak yndyrë. Të shmangni sasi të mëdha të sheqerit, të pini ujë dhe çajra pa sheqer. Kjo ju mundëson të jenë të hidruar t’i ruani lëngjet dhe t’i përballoni më lehtë temperaturat e larta”, u shpreh ai për GazetaBlic.