Lajme

Javë e ‘nxehtë’ | Amerika dhe BE-ja me kërkesa të qarta për Qeverinë Kurti, paralajmërojnë tensione

02/05/2024 08:08
nga:N K

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe, janë duke rritur panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.

Edhe nga Bashkimi Evropian u shprehën të shqetësuar për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë dhe kanë bërë thirrje që kjo çështje ta zgjidhet në dialog.

Hovenier i bëri thirrje Kosovës përsëri ta shtyjë zbatimin e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në pagesa me para ta gatshme, derisa të vendoset një procedurë e kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa njerëzit të njoftohen mirë për mënyrën se si do t’i marrin beneficionet.

Në javët e fundit, autoritetet kosovare i mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, tha Hovenier në një komunikatë të shtunën pak para mesnatës.

Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht trynisë së madhe nga bashkësia ndërkombëtare për ta shtyrë zbatimin e saj.

Hovenier shprehu shqetësimin e tij për, siç tha, “konfiskimin e dinarëve serbë dhe një automjeti që po i transportonte ato nga Serbia për pagesa sociale” nga Policia e Kosovës të shtunën.

Në një komunikatë për media të dielën, BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës t’i shmangë veprimet “e njëanshme të cilat mund të nxisin tensione dhe të adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e mbështeti reagimin e BE-së dhe tha se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”.