Lajme

Java e Krenarisë sot nis në Kosovë

06/06/2022 10:31
nga:N M

Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, të hënën prej orës 18:00 nis Java e Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Brenda ekzekutivit ekziston edhe Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut si dhe Mundësi të Barabarta e Kundër Diskriminimit. Aty edhe do të startojë kjo ngjarje.

Aty, fjalim do të mbajë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pos figurave politike në Kosovë, prezent e adresim do të kenë edhe disa prej ambasadorëve të vendeve perëndimore.

Java e Krenarisë këtë vit zhvillohet në kohën kur ka debat për Kodin Civil, në atë projektligj mundësohet që anëtarët e komunitetit LGBT të lidhin ligjërisht bashkësi familjare.

Më 16 mars të këtij viti kishte dështuar votimi i “Kodit Civi”, në Kuvendin e Kosovës.

Një pjesë e deputetëve të partisë në Lëvizjen Vetëvendosje ishin kundër projektligjit për shkak se përfshinte nenin që lejonte anëtarët e komunitetit LGBT të lidhin bashkësi familjare.

Pos tyre, as partitë opozitare nuk morën pjesë në votim. Projektligji për Kodin Civil do të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për votim.

Njoftimi i Qeverisë:

Jeni të ftuar të merrni pjesë në ceremoninë e hapjes së –Java e Krenarisë/Paradës së Krenarisë, me moton “Edhe n’shtet, edhe n’familje”.

Parada ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovës. Ceremonia e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë në Kosovë do t’i paraprinë realizimit të aktiviteteve tjera në kuadër të Javës së Krenarisë.

Ceremonia do të mbahet më 06 Qershor 2022, në Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Salla P 38, duke filluar nga ora 18:00-19:00.

I gjithë aktiviteti organizohet nga Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile CEL dhe CSGD.

Ish-deputetja e Kuvendit Aida Dërguti shihet në protestën e veteranëve të UÇK-së