Lajme

Java e hapjes së fushatës nga partitë politike për zgjedhjet e 9 shkurtit

01/12/2025 10:34
nga:G C

Tashmë çdo javë ndër ngjarjet kryesore pritet të jetë fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Kësisoj kjo javë i kushtohet fillimit të fushatës e cila nisi të shtunën dhe do të zgjasë për një muaj. Çka thanë kandidatët për kryeministër nga partitë politike në vend?

Renditja e partive politike është bërë në bazë të fuqisë aktuale në Kuvendin e Kosovës.

VV-ja në Gjakovë

Vetëvendosje fushatë zgjodhi të fillojë në Gjakovë.

Atje kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, tha se tash vazhdojnë për në “krejt Republikën” drejt synimin që tashmë e kanë artikuluar për “500 mijë vota”.

“E filluam nga Gjakova, e nga aty vazhdojmë në krejt Republikën, cep më cep deri më 9 shkurt, drejt fitores së 500 mijë zemrave që rrahin por si një te numri 118. Falemnderit Gjakovë! Ju dua fort!” – ka shkruar ai në Facebook.

Kurti nga Gjakova nuk la pa sulmuar partitë opozitare dhe ish-udhëheqësit e vendit.

PDK-ja në Prishtinë

PDK-ja hapjen e fushatës e bëri në Prishtinë në sallën 1 Tetori.

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza në fjalimin e tij të mbajtur në tubimin për hapjen e fushatës zgjedhore ka thënë se bashkë mund të ndërtojnë një Kosovë më të mirë.

Hamza i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe entuziazmin dhe që besojnë tek ai.

“Mbi të gjitha, faleminderit për bindjen tuaj që Kosova mundet ma mirë! Jeni ju, qytetarët optimistë, premtimi ma i mirë për vendin tonë. E ardhmja e Kosovës varet nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Jam i bindur që qytetarët do të vendosin për drejtimin duhur që duhet të marrë shteti jonë. Unë qëndroj para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr. Sepse, së bashku dua ta nisim një kapitull të ri. Një kapitull shprese, uniteti dhe progresi! Sot jemi mbledhur këtu, jo vetëm si individë, por edhe si forcë e bashkuar. Jemi këtu të bindur se Kosova meriton më shumë mundësi, më shumë dinjitet dhe më shumë prosperitet. Bashkë mund ta ndërtojmë një Kosovë ma të mirë.” – ka thënë Hamza.

LDK-ja në Prishtinë

Edhe LDK-ja fushatën e hapi në Prishtinë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

Pas tubimit të LDK-së në hapjen e fushatës zgjedhore, Lumir Abdixhiku, u shpreh se “ishte mrekulli” dhe se që nga sonte “dalim me bindje se jemi ndryshimi”.

“Ju faleminderit! Ju faleminderit që i dhatë kaq shumë mbështetje ndryshimit tonë! Tubimi i madh i hapjes ishte madhështor, përplot energji, ishte mrekulli! Nga sonte jemi të bashkuar! Nga sonte qëndrojmë të fortë! Nga sonte dalim me bindje të plotë se ‘Ne jemi ndryshimi’ për Kosovë!”, tha Abdixhiku.

“9 shkurti është fati ynë. 9 shkurti është thirrja jonë! 9 shkurti është fitorja jonë!” – ka shkruar ai në Facebook.

AAK-ja në Prekaz

Ndërkohë, AAK-ja zgjodhi që fushatën ta fillojë nga Prekazi.

Pas homazhe, kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Prekazi është vendi që i bashkon shqiptarët.

Sipas tij, ku vend është betim për shtet dhe atdhe.

“Prekazi është vendi që na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, liri e demokraci. Nga këtu nisemi për Kosovën Fituese me numrin 137. Rroftë Kosova!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Kujtojmë se zgjedhjet do të mbahen më 9 shkurt.