Jasir Asani ka përgënjeshtruar zërat për një largim të mundshëm nga klubi iranian Esteghlal.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar se do të vijojë qëndrimin e tij në Teheran.
Asani theksoi se nuk ka asnjë plan për t’u larguar gjatë kësaj merkatoje. Futbollisti kërkoi mbështetjen e tifozëve për pjesën e mbetur të sezonit.
“Tifozë të dashur dhe besnikë të Esteghlalit. Ditën që mora ofertën e Esteghlalit, ndjeva pasionin dhe entuziazmin tuaj, zgjodha këtë ekip me gjithë zemër për të qëndruar pranë jush dhe për të luftuar për suksesin.
Këto ditë kam dëgjuar thashetheme të ndryshme për largimin tim, por e vërteta është se kam folur me trajnerin dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit se do të luftojmë së bashku për qëllimet tona, përkrah jush dhe me mbështetjen tuaj.
Jam këtu për dashurinë dashurisë suaj dhe do të qëndroj me Esteghlalin derisa të arrijmë një sukses të madh. Nuk do shkoj askund.
Ju kërkoj vetëm të vazhdoni ta mbështesni ekipin, lojtarët dhe trajnerin tonë, i cili punon pa u lodhur dhe me pasion çdo ditë. Besoni tek unë, së bashku do të kemi sukses. Vetëm Esteghlal”, shkruan Asani në postimin e tij.
Asani ka shënuar 11 gola në 24 ndeshje me fanellën e Esteghlal.


