Drejtori ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari, ka folur në lidhje me vizitën që ka zhvilluar sot në Kosovë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Jashari tha për “Gazeta Blic” se vizita e Lajçak është një sinjal i qartë i insistimit të BE-së dhe SHBA-ve, për ta trajtuar me urgjencë çështjen e ndalimit të dinarit.
“Vizita e Lajçak sot në Kosovë është një sinjal i qartë i insistimit të BE-së dhe SHBA-ve, për ta trajtuar me urgjencë çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit dhe mesazh, se kur kemi të bëjmë me trajtimin e pakicave(serbëve) qeveria e Kosovës, patjetër duhet të ketë kujdes dhe kordinim me aleatët.Kjo vizitë po ashtu shpërfaq edhe pafuqinë e qeverisë për të refuzuar tema që me pompozitet po i refuzon për konsum të brendshëm politik” tha Jashari për “Gazeta Blic”.
Ai tha se brenda disa ditësh u demantua zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
“Vetëm brenda disa ditësh u dematua Besnik Bislimi kur thoshte se, për çështje të dinarit nuk diskutohet në dialog”
Jashari potencoi se pa asnjë arsye një çështje teknike si dinari u shëndërrua në çështje politike.
“Pa asnjë arsye logjike një çështje teknike u shëndrrua në çështje politike dhe pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, duke shkaktuar dëme të mëdha në raportet me aleatët dhe në imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Kosova nuk e ka fuqinë të refuzoj kërkesat e BE dhe SHBA, prandaj duhet të bëhet shumë më e përgjegjshme sa herë që merr veprime që kanë impakt në raportet me aleatët” deklaroi Jashari për “Gazeta Blic”.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimit me Bislimin tha se folën për nevojën e ‘zbatimit pa vonesë’ të marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi dhe tha se kanë rënë dakord që të vazhdojnë diskutimin shumë shpejt.
“[Isha] në Kosovë për një diskutim të rëndësishëm dhe të detajuar mbi dialogun me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi. U theksua nevoja për zbatimin pa vonesë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe u adresuan çështjet urgjente që prekin dialogun. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë së shpejti”, ka shkruar Lajçak në X raporton “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/