Drejtori ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për takimin e djeshëm në Bruksel, në kuadër të kryenegociatorëve, ku u diskutua dhe për çështjen e dinarit.
Jashari thotë se Qeveria ka bërë dëm me aleatët, për shkak të militantëve.
“Qeveria e Kosovës ka bërë shumë dëm në raportet me aleatët tanë ndërkombëtar duke tentuar të kënaq një shtresë të votuesve militant të vetë brenda vendit. Krejt veprimet populliste rreth veriut kanë qenë të dëmshme dhe janë bërë vetëm për t’u shitur tek votuesi “që nuk mendon fare” sikur kjo qeveri po bën diçka që nuk e kanë bërë qeveritë e kaluara, shtrirjen e sovranitetit”, shprehet ai.
Sipas Jasharit, veprimet e Qeverisë na kanë kushtuar me njohje të raporteve dhe u kthye kundër edhe rasti i Bansjkës.
“Të gjitha ato veprime janë dënuar nga aleatët dhe na ka kushtuar me ftohje të raporteve, me hapje të rrugëve për Serbinë dhe nga një situatë që kishim në favor tonin pas Banjskës, kjo qeveri arriti ta kthejë në situatë kundër Kosovës, me veprime të palogjikshme rreth përdorimit të dinarit. Si pasojë e veprimeve të kësaj qeverie rreth përdorimit të dinarit, për herë të parë kemi deklaratë nga një zyrtar i lartë i SHBA-së, z.Escobar, që çështja e dinarit është çështje humanitare dhe SHBA nuk mund ta pranojë pa vepruar!!!”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.
Ai shton se dinari nuk ishte pjesë e diskutimeve për dialog pasi ishte e brendshme por tani e kthyen në temë që rrezikon edhe anëtarësimin në KiE.
Jashari shton se asnjë qeveri nuk e ka fuqinë që t’i prishë raportet me aleatët, në veçanti me SHBA-të.
“Asnjëherë nuk ishte temë diskutimi çështja e dinarit, pasi është çështje e brendshme e Kosovës. Tani, nga veprimet e pa matura-populliste e kthyen në temë kryesore që rrezikon edhe anëtarësimin në KiE. Kjo qeveri dhe asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka as fuqinë e as mundësinë që të prishë raportet me aleatët tanë e në veçanti me SHBA-të, pasi pa SHBA as që do të ishim shtet. Sa më parë që kjo qeveri e kupton se nuk luhet me partneritete ndërkombëtare aq me shpejt do të kemi normalizim dhe raporte korrekte me aleatët tanë strategjik”, deklaron Shemsi Jashari./Gazeta Blic/