Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka uruar festat e fundvitit.
Në urimin e tij, Jashari thotë se FSK do mbetet e përkushtuar në misionin e saj fisnik për të shërbyer me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim ndaj të gjithë qytetarëve.
Pos tjerash, komandanti i FSK-së tha se festat e fundvitit janë momente reflektimi, shprese dhe afrimi njerëzor, të cilat rikujtojnë rëndësinë e solidaritetit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve.
Urimi i Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të dashur bashkëqytetarë të besimeve të krishtera.
Me rastin e festave të fund vitit, Krishtlindjeve katolike, Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve ortodokse, ju përcjell urimet më të përzemërta për shëndet, paqe, mirësi dhe begati në familjet tuaja.
Këto festa janë një moment reflektimi, shprese dhe afrimi njerëzor, të cilat na rikujtojnë rëndësinë e solidaritetit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve tanë.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj fisnik për të shërbyer me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim ndaj të gjithë qytetarëve, dua të falënderoj secilin prej jush për angazhimin dhe profesionalizimin e treguar. Na keni bërë krenarë të gjithëve me punën dhe përkushtimin tuaj.
Ju uroj festa të gëzuara të fund vitit dhe një Vit të Ri të mbarë, me suksese, shëndet për ju dhe familjet tuaja.
Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju!
Gëzuar festat e fund vitit, Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Me respekt
Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.


