Kuvendi i Koosvës ka dështuar për herë të tetë të konstituohet.
Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, s’ka arritur të marrë votat e nevojshme për kryeparlamnetare.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Shemsi Jashari.
Jashari tha se s’kemi të bëjmë me një proces serioz institucional dhe se është e qartë se nuk kemi përballë një parti që synon zgjidhje por një parti që po e përdor institucionin si teatër politik
“Këtu nuk kemi të bëjmë më me një proces serioz institucional. Nëse një kandidaturë sillet për votim tetë, herë dhe çdo herë dështon atëherë është fare e qartë se nuk kemi përballë një parti që synon zgjidhje, por një parti që po e përdor institucionin si teatër politik.Krytari i VV-së, Deputeti Kurti nuk po kërkon kompromis, nuk po negocion me asnjë palë, nuk po përpiqet të gjejë një figurë të pranueshme për të gjithë. Ai thjesht po insiston në të njëjtën kandidaturë, me vetëdijen se nuk do të kalojë, për t’u kthyer pastaj te populli dhe për të thënë: “Ja kush po na pengon.”Kjo nuk është udhëheqje është manipulim i procesit demokratik për përfitim politik. Dhe është edhe mungesë e thellë respekti për vetë institucionet që thotë se po i forcon. Sepse në demokraci, nëse nuk ke shumicë, ulesh e bisedon. Nuk e sillet e njëjta emër çdo javë vetëm që të kesh një titull për Facebook” tha Jashari për “Gazeta Blic”.
Ai tutje tha se një sjellje e tillë nga Kurti nënvlerëson inteligjencën e qytetarëve.
“Për më tepër, kjo sjellje nënvlerëson inteligjencën e qytetarëve. Qytetarët nuk janë të verbër e shohin shumë qartë kur dikush po bën lojë politike në vend se të ofrojë zgjidhje.Dhe e vërteta është kjo: Kurti nuk po qeveris, ai po menaxhon perceptime. Por një shtet nuk ndërtohet me perceptime, ndërtohet me përgjegjësi, dhe mbi të gjitha me respekt për mendimin ndryshe” tha Jashari në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta ketë Albulena Haxhiun emrin e vetëm të propozuar për kryetare të Kuvendit, e cila deri më tani kishte marrë nga 57 vota për, ndërsa sot mori 54 për.
Derisa Vetëvendosje vazhdon të insistojë në zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke thënë se partitë tjera duhet ta votojnë atë pasi u takon e drejta si parti e parë e dalë nga zgjedhjet, partitë tjera thonë se nuk e përkrahin atë dhe s’do të ndryshojnë qëndrime.
/Gazeta Blic/


