Analisti Shemsi Jashari, në emisionin “Click” në RTV21, vlerësoi se e vetmja figurë që mund ta mbajë bashkë LDK-në dhe ta udhëheqë atë është kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Kur dy palë kanë mospajtime, zakonisht palës së tretë i hapet rruga. Zoti Lumir Abdixhiku e ka një strukturë të njerëzve të cilët e kanë mbështetur dhe i ka mbështetur për me marrë mandatin, por e ka edhe një pjesë të pakënaqur me qeverisjen e tij të brendshme në LDK, që kanë vendosur në heshtje me mbajt mospajtimin. Tash këto dy palë e kanë problem me u pajtu. Të vetmin opsion që e shoh real për me i mbajt të dy palët të paktën një mandat është një figurë që nuk është e përfshirë as në kampin A e as në kampin B, e që është Përparim Rama”, tha ai, duke shtuar se i njëjti ka pushtet në kryeqytet, post që sipas tij vjen pas kryeministrit.
Jashari shtoi se më e dobishmja për LDK-në është që kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, të hapë rrugë.


