Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditësh, raporton GazetaBlic.
Ajo tha se shqetësimet e saj për mënyrën e drejtimit të seancës konstituive janë konfirmuar nga vendimi i Gjykatës, e cila vlerësoi se veprimet e partisë së parë kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Jashari u bëri thirrje kolegëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i japin vendit institucionet që qytetarët i meritojnë.
Postimi i plotë:
Që nga fillimi kam shprehur shqetësimin tim për mënyrën se si është drejtuar seanca për konstituimin e Kuvendit – një proces që, për fat të keq, nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese.
Sot, Gjykata Kushtetuese e ka vulosur këtë vlerësim, duke konfirmuar se veprimet e partisë së parë kanë qenë në kundërshtim me normat themelore dhe rregullat e përcaktuara.
Shpresoj sinqerisht që pas këtij vendimi të qartë, ne si deputetë të veprojmë me përgjegjësi, duke i dhënë vendit institucionet që qytetarët i meritojnë.


