Dje në media u raportua se Bashkimi Evropian ka pezulluar takimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ky qëndrim është bërë i ditur dje, përmes një letre që shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Aivo Orav, i ka dërguar Kurtit më 8 gusht 2025.
Në dokument thuhet se vendimi pason aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, më 25 qershor, që shpalli të pavlefshëm një udhëzim të Ministrisë së Financave lidhur me ushtrimin paralel të funksioneve ministrore dhe atyre parlamentare, duke u bazuar në nenin përkatës të Kushtetutës.
“Ky vendim konfirmon përkushtimin tonë për sundimin e ligjit, llogaridhënien dhe respektimin e institucioneve demokratike. Për të shmangur paqartësitë dhe interpretimet e gabuara, vizitat e përfaqësuesve të BE-së dhe shteteve anëtare brenda ndërtesës së Qeverisë do të shtyhen përkohësisht, derisa të krijohet një qeveri e re me mandat të plotë”, thuhet në letrën e Oravit.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic’ drejtori ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari.
Jashari tha se vendimi i BE-së për pezullimin e takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është një qortim i ashpër dhe një sinjal i paprecedentë që tregon humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj ekzekutivit aktual.
Ai potencoi se ky izolim diplomatik është pasojë direkte e arrogancës politike të Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Vendimi i Bashkimit Evropian për pezullimin e takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është një qortim i ashpër dhe një sinjal i paprecedentë që tregon humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj ekzekutivit aktual. BE ka theksuar qartë se mosrespektimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit ka vënë në pikëpyetje sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve”
“Ky izolim diplomatik është pasojë direkte e arrogancës politike të z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët për interesa partiake po sakrifikojnë imazhin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Kurrë më parë një qeveri nuk e ka futur vendin në një ngërç kaq të rrezikshëm institucional dhe nuk e ka përballur Kosovën me një mosbesim kaq të madh ndërkombëtar” tha Jashari për “Gazeta Blic”.
Jashari tha se mesazhi i BE-së është i qartë ‘Kosova nuk mund të udhëhiqet me inate politike dhe përçmime ndaj ligjit’.
“Mesazhi i BE-së është i qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet me inate politike dhe përçmime ndaj ligjit. Vetëvendosje duhet të ndalojë abuzimin me pushtetin dhe t’i kthehet respektimit të rendit kushtetues, sepse çdo ditë e humbur e thellon krizën dhe e largon vendin nga perspektiva evropiane” tha Jashari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Çka u tha në vendimin e BE-së për pezullimin e takimeve me kryeministrin në detyrë?


