Lajme

Jashari: Ka rënë interesimi për profesionin e mësimdhënësit, edhe ata që janë duke punuar do të largohen posa tu jepet rasti

02/24/2024 13:50
nga:Sh R

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, thotë se nëse vazhdon trendi i largimit të mësimdhënësve dhe nxënësve do të kemi probleme.

Jashari në një intervistë për Gazeta Blic, tha se numri i mësimdhënësve që kanë kërkuar pushim 1 vjetor është rreth 300 mësimdhënës, dhe nëse vazhdon ky trend do të kemi probleme në arsim.

“300 mësimdhënës kanë bërë kërkesa për të marrë pushim 1 vjet që ua garanaton edhe Ligji i Punës. Ne kemi pas frikë se ky numër mund të jetë shtuar pas heqjes së vizave. Nëse vazhdon ky trend ne do kemi dy probleme, rënien e numrit të madh të nxënësve dhe të mësimdhënësve. MAShT-i dhe Qeveria duhet ta ketë një alarm dhe të shoh se pse po ndodh ky largim, edhe i nxënësve fatkeqsisht por edhe i mësimdhënësve tani kohëve të fundit”, tha ai.

Ai tregon se janë ndarë të zhgënjyer pasi u bë ligji i pagave, ku u dëshpëruan pasi koeficienti u rrit shumë pak, nga 105 në 110.

“Zhgënijmi i parë ishte i madh kur u bë ligji i pagave, por mësimdhënësit e Kosovës dhe të punësuarit që nga çerdhet e deri në universitet, e kishin një shpresë se koeficienti do të rritej nga Qeveria, por ndodhi ajo që ishte dëshpruese. Qeveria e rriti koeficienetin shumë pak që nga 105 në 110, që në arsimin paraunversitar që nga çerdhet e deri në shkollat e mesme ngritja është diku 28-29 euro, dhe kjo e shtoj shumë zhgënjimin dhe më duket dhe shihet qartë profesioni i mësimdhënësit që dikur ishte shumë i dëshirua, tani po ndodh diçka tjetër”, shtoi ai.

Jashari potencon se ka rënë interesimi për profesionin e mësimdhënësit në vendin tonë, atje ku thotë se edhe mësimdhënësit që aktualisht janë duke punuar, do të largohen posa tu jepet rasti, pasi që pagat janë tmerrësisht të ulëta.

“Kërkesa dhe vullneti i rinisë sonë për tu bërë mësues ka rënë shumë, por edhe zhgënjimi është i madh i atyre që punojnë dhe ata po sa tu jepet rasti për të shkuar qoftë në tregun e punës brenda Kosovës, qoftë edhe jashtë, ata do ta lëshojnë profesionin e mësuesit, ngase nuk është më i dashur, pagat janë tmerrësisht të ulëta. Fyrjet ndaj tyre janë publike, po prodhojnë analfabet, janë edhe vet, nuk janë të mirë dhe mësuesi po mbetet pa përkrahje dhe nuk po ndihmohet që të jetë më i mirë, por vetëm fyhet sa herë që ne kërkojmë diçka në emër të tyre”, përfundoi Jashari për Gazeta Blic.