Lajme

Jashari: Dorëheqja e Memli Krasniqit pritet të sjellë dinamikë të re në opozitën kosovare në tërësi!

11/12/2025 18:52
nga:Y I

Pasditen e sotme ka dhënë dorëheqjen kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Pas dorëheqjes së Krasniqit kanë ardhur reagime të shumta në lidhje me një vendim të tillë të ish-kreut të PDK-së.

Shemsi Jashari, analist dhe drejtor ekzektuiv i organizatës “Demokracia Fillon Këtu”, duke folur për “Gazeta Blic” tha se dorëheqja e Krasniqit pritet të sjellë një dinamikë të re si brenda PDK-së ashtu edhe në opozitën kosovare në tërësi.

Jashari tha se për PDK-në, ky hap mund të shënojë fillimin e një faze rinovimi dhe hapje ndaj energjive të reja.

“Dorëheqja e Memli Krasniqit pritet të sjellë një dinamikë të re si brenda PDK-së, ashtu edhe në opozitën kosovare në tërësi.Për PDK-në, ky hap mund të shënojë fillimin e një faze rinovimi, hapje ndaj energjive të reja dhe konsolidim të brendshëm, duke e përgatitur partinë për garë serioze në zgjedhjet e ardhshme. Veprimi i tij e forcon perceptimin se PDK mbetet forcë e përgjegjshme dhe me kulturë demokratike të brendshme” tha Jashari.

Ai potencoi se marrja e përgjegjësisë për rezultatin e dobët në nivel lokal duhet të shoqërohet me dorëheqje dhe reflektim edhe nga strukturat lokale

“E rëndësishme është që kushdo që vjen në krye të PDK-së të jetë figurë me autoritet dhe kredibilitet për të unifikuar figurat e rëndësishme brenda partisë dhe për të eliminuar pakënaqësitë ekzistuese në strukturat aktuale. Po ashtu, marrja e përgjegjësisë për rezultatin e dobët në nivel lokal duhet të shoqërohet me dorëheqje dhe reflektim edhe nga strukturat lokale, për të krijuar një bazë të re dhe më funksionale të partisë në terren” deklaroi Jashari.

Ndërsa sa i përket opozitës në tërësi, Jashari tha se dorëheqja e Krasniqit krijon presion për reflektim dhe riorganizim.

“Në anën tjetër, për opozitën në tërësi, dorëheqja e Krasniqit krijon presion për reflektim dhe riorganizim. Ajo mund të shërbejë si katalizator për forcimin e bashkëpunimit opozitar dhe rritjen e seriozitetit në përballje me qeverinë, duke sjellë një garë më të balancuar dhe më substanciale politike në skenën kosovare” tha Jashari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Shemsi Jashari, Drejtor ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’

/Gazeta Blic/

Zyrtare: Memli Krasniqi jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të PDK-së!