Lajme

Jashari: Deklarimet e Kurtit, pas sulmit në Ibër-Lepenc, të pamenduar mirë dhe me elementë të fushatës elektorale!

12/04/2024 10:58
nga:Y I

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc pati kritika edhe për mediat.

Ai në një konferencë para gazetarëve ka theksuar se disa media po bëjnë “luftë” hibride ndaj Republikës së Kosovës.

“Situata si kjo janë cak i keqinformimit të qëllimshëm, andaj ju ftoj që të jeni të vëmendshëm ndaj lajmeve që i lexoni dhe t’i përcjellin udhëzimet e institucioneve përmes kanaleve zyrtare”, tha Kurti para gazetarëve raporton “Gazeta Blic”.

Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri, ka deklaruar se kryeministri Kurti ka tentuar të përfitojë nga sulmi në Ibë-lepenc për përfitime politike.

“Unë e kam parë kush është munduar me përdorë politikisht këtë sulm, e ai ka qenë kryeministri Kurti. Prej natës së parë, kur e ka pas konferencën për shtyp. Unë e kam parë në krejt atë deklarim Kurti për këtë gjë, më shumë ka pas fjali që i shërbejnë fushatës së tij ose ai mendon që i shërbejnë. Fjali të cilat e sulmojnë opozitën, meidat gazetarët. Sesa që ka folur për sulmin dhe për atë se çka ka më bë ky si kryeministër për me sanu dëmin dhe në anën tjetër për mi parandalua sulmet e tilla”, ka deklaruar Ymeri.

Po ashtu edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka potencuar ‘se Kurti e përdori sulmin në Ibër-Lepenc si pretekst për t’i sulmuar të gjithë’

“E përdori si pretekst që të sulmojë të gjithë, përfshirë mediat, të cilat pastaj u kuptua që edhe për rastin kishin raportuar me shumë saktësi dhe korreksi, atë punë e kanë. Pra, nuk kishte të bëjë me pjesën që kryeministri e sulmonte. Pastaj na dha disa mësime atdhetarie apo patriotizmi që dukeshin fantatastike, kur ke parasysh që kryeministri I Kosovës në vete është një apatrit, pra nuk e ka idenë çfarë janë ato” ka deklaruar Shala.

Në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Kurti, pas këtij sulmi, ka folur për “Gazeta Blic” drejtori ekzekutiv i ‘Demokracia Fillon Këtu’, Shemsi Jashari.

Jashari tha se deklarimet e kryeministrit Kurti gjatë natës së sulmit kanë patur më shumë një ton që reflekton elemente të fushatë zgjedhore.

Ai tha se në momente të tilla duhet që udhëheqësit e shtetit të japin mesazhe qetësuese.

“Deklarimet e Albin Kurti gjatë natës kritike, kur ndodhi sulmi terrorist mbi kanalin e ujit të Ibër Lepencit, janë perceptuar si të pamenduara mirë dhe kanë pasur një ton që reflekton më shumë elemente të fushatës zgjedhore sesa një qasje serioze dhe shtetërore ndaj një situate të tillë kritike.Në momente të tilla, kur siguria kombëtare është vënë në rrezik dhe ekziston mundësia e ndonjë sulmi të mëtejshëm, është thelbësore që udhëheqësit të japin mesazhe qetësuese, të tregojnë se situata është nën kontroll dhe të thërrasin për unitet kombëtar.Përkundrazi, z. Kurti zgjodhi të shpenzojë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tij duke kritikuar mediat për raportimet e tyre mbi ngjarjen, çka u pa si një devijim nga prioriteti kryesor – informimi dhe qetësimi i publikut” tha Jashari për “Gazeta Blic”.

Jashari tha se Kurti u fokusua më shumë duke sulmuar mediat se tek siguria kombëtare dhe kjo sipas tij tregon mungesë përgjegjësie.

“Kjo qasje ishte problematike për disa arsye:Fokusi në media në vend të sigurisë kombëtare: Në vend që të informonte publikun dhe të tregonte lidership në një moment krize, ai e devijoi diskutimin duke sulmuar mediat, gjë që krijoi një atmosferë tensioni dhe mungese transparence.
Mesazhe jo të qarta dhe mungesë përgjegjësie: Në një situatë ku agjencitë e sigurisë kishin dështuar të parandalonin një akt terrorist, qeveria duhej të merrte përgjegjësinë dhe të tregonte vendosmëri për përmirësim.Shpallja e mediave si “tradhtare”: Etiketimi i mediave si tradhtare apo të shitura, në vend që të pranoheshin mangësitë në informim, minon lirinë e shprehjes dhe rrit ndarjet mes institucioneve dhe publikut”

“Një tjetër aspekt që meriton vëmendje është se qeveria dhe institucionet e sigurisë duhet të jenë burimi kryesor i informacionit për mediat dhe qytetarët në situata të tilla, duke shmangur raportimet spekulative apo të pasakta. Mungesa e komunikimit institucional shpesh çon në përhapjen e panikut dhe mosbesimit.
Në përfundim, çdo qeveri mban përgjegjësi për dështimet në parandalimin e ngjarjeve të tilla, dhe në këtë rast, ka qenë e qartë që ka pasur mangësi në parandalim dhe reagim. Ky incident kërkon jo vetëm reflektim të thellë nga institucionet e sigurisë dhe qeveria, por edhe një ndryshim në qasjen e komunikimit publik dhe të sigurisë kombëtare” tha Jashari në përgjigjen e tij për “Gazeta Blic”.


Shemsi Jashari, Analist politik!

/Gazeta Blic/

Kujtim Shala thotë se Kurti e përdori sulmin në Ibër-Lepenc si pretekst për t’i sulmuar të gjithë

 

Ymeri: Kurti tentoi të përfitojë politikisht nga sulmi në Ibër-Lepenc